Daut Haradinaj tregon nëse ishte prapa kazinove në Kosovë
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj për herë të parë ka treguar nëse ka qëndruar ai prapa lojërave të fatit në Republikën e Kosovës.
Deputeti nga Deçani, në një intervistë për “RTK”-në, ka thënë se asnjëherë s’është marrë me një biznes të tillë.
“Mos u nxitoni me fol. Kanë ndërtu objekte “Pandora” në emrin temin. Unë nuk jam i shqetsum për çka folin. Por t’i thuash dikujt që qëndron mbrapa apo para kjo është gabim. Nuk jam pjesë e asnjë llojë biznesi të natyrës tillë dhe me shumë kënaqësi e kam dhënë votën për mbyllje”, ka thënë ai.
Ndryshe, që nga sot ka hyrë në fuqi ligji për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë të Lojërave të Fatit. Çdo aktivitet i mundshëm i bastoreve, kazinove apo çfarëdo Lojëra të Fatit prej sot llogaritet si kundërligjor dhe do të sanksionohet.
ATK kishte paralajmëruar se deri në ditën e sotme do të revokohen të gjitha licensat dhe se nga kjo ditë do të ndalohet veprimi i çfarëdo veprimtarie të Lojërave të Fatit.
Ky ligj ishte propozuar nga Qeveria e Kosovës pas dy vrasjeve të ndodhura në vend, e ku viktimë ishin punëtorët e kazinove.
I njëjti ishte votuar edhe në Kuvendin e Kosovës, teksa për të kishin votuar një shumicë dërrmuese e deputetëve.