David Schwendiman largohet nga Specialja, tregon arsyet
Kryeprokurori i Gjykatës Speciale, David Schwendiman përmes një deklarate për media ka treguar arsyet për largimin e tij nga Haga në muajin prill, largimi i cili vjen për shkak të skadimit të emërimit të tij për afatin e caktuar për tre vjet si oficer i lartë për Shërbim të Jashtëm në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Schwendiman do të largohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 31 mars të këtij vitit kur edhe do t’i skadojë emërimi.
“Kjo duhet të ndodhë sepse administrata amerikane nuk mund të bëjë përjashtim për statusin tim si pensionist i rimarrë në shërbim, diçka që ligji nuk më lejon të ndryshoj, pavarësisht nga sa shumë mund të dëshiroj të qëndroj”, thuhet në deklaratën e tij.
Mes tjerash, në deklaratë, Schwendiman e bëri të qartë që nuk po e jep dorëheqje as nuk po shkarkohet dhe që largimi i tij i shpejtë nuk paraqet një ndryshim në politika ose zotim ndaj punës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga ana e ShBA-së, Bashkimit Evropian ose nga bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi.
“Përkundrazi, shpejtësia me të cilën Bashkimi Evropian ka reaguar për ta filluar kërkimin për Prokurorin e Specializuar të ri tregon fuqinë e përkrahjes së tij – po ashtu si përgjigja e gjithanshme vetëm disa javë më parë ndaj përpjekjes për ta shfuqizuar ligjin i cili kishte krijuar Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar tregoi vendosmërinë ndërkombëtare dhe mbështetjen për ne”, tha ai.
“Barra më e rëndë në ndonjë zyrë prokurori mbartet nga personeli në zyrë dhe jo nga përgjegjësi që e drejton” dhe shtoi që kjo nuk do të ndryshohet në Zyrën e Prokurorit të Specializua”.
“Detyra ime si Prokurori i Specializuar është që t’i caktojë politikat, ta drejtoj punën dhe të sigurojë që ata që bëjnë punën kanë burimet dhe mbështetjen që u duhen që ta kryejnë punën”, ka thënë Schwendiman, duke vënë në pah që ai e vendosi Zyrën e Prokurorit të Specializuar në një rrugë të qëndrueshme, ndihmoi në rekrutimin e një stafi të jashtëzakonshëm, siguroi që zyra ka marrë burimet e nevojshme, dhe punoi me bashkësinë ndërkombëtare që të merrte përkrahjen e duhur për kryerjen e punës.
Kwai Hong Ip, zëvendësi i Schwendiman, do të marrë përsipër detyrën si Prokuror i Specializuar i Përkohshëm .
Schwendiman gjithashtu pati një mesazh shumë të qartë në lidhje me hetimet të cilat ai kryeson.
“Asnjëri nga ata përgjegjës për krimet e përfshira në mandatin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe të Dhomave të Specializuara nuk duhet të mendojë për asnjë moment që largimi im ka të bëjë fare me një mungesë zotimi ndaj hetimeve.
“Një parim kryesor i punës sonë gjithmonë ka qenë përgjegjësia individuale – duke mbajtur njerëz përgjegjës për veprat e veta, për çka kanë bërë si individë – puna jonë asnjëherë nuk ka qenë për ndryshimin e historisë ose për të veçuar grupe të caktuara për dënim.
“As kjo nuk do të ndryshohet kur një Prokuror i Specializuar i ri do të marrë përsipër detyrën”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu bëri të qartë që ata që janë prekur nga krimet të përfshira në mandatin “kanë çdo arsye të vazhdojnë të besojnë në punën që ne kemi bërë, po bëjmë tani apo do të bëjmë në të ardhmen”.
“Vendosmëria e atyre që po punojnë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar nuk do të ndikohet vetëm nga se do të zëvendësohem”, ka deklaruar ai, duke shtuar që “Kushdo që vjen pas meje do të jetë po aq e zotuar në kryerjen e punës drejt dhe mirë dhe aq shpejtë sa është e mundshme”.
Schwendiman u emërua Prokuror i Specializuar në shtator 2016, pasi që kishte shërbyer si Kryeprokuror i Task Forcës Hetimore Speciale që nga maji 2015-s.
Në karrierën e tij që zgjati më shumë se pesë dekada, ai kreu detyra në Bahrejn, Bangladesh, Brazil, Tajlandë dhe Vietnam, dhe kaloi shumë vite në Afganistan dhe Bosnjë e Hercegovinë, transmeton Klan Kosova.