Davies rinovon deri në vitin 2030 me Bayernin: Erdha adoleshent, kam shumë për të dhënë
Pas negociatave të pafundme, Alphonso Davies ka rinovuar kontratën e tij me Bayern Munich deri në vitin 2030.
Kështu, kanadezi do të qëndrojë në Gjermani pavarësisht zërave se mund të transferohej në Spanjë.
“Jam shumë i lumtur që kam zgjatur kontratën time me këtë klub të madh. Erdha te Bayern kur isha 18 vjeç dhe thjesht doja të mësoja sa më shumë që të ishte e mundur çdo ditë për t’u bërë një nga më të mirët në pozicionin tim”, tha Davies.
Më tej, mbrojtësi 24-vjeçar shtoi: “Tani pres me padurim të luajmë edhe pesë vite të tjera së bashku. Gjatë këtyre viteve kam arritur shumë këtu me këtë skuadër, por e ndjej se ka ende shumë për të bërë”.
Davies mbërriti në Mynih si adoleshent dhe deri tani ka bërë 220 paraqitje për klubin, duke shënuar 12 gola dhe duke dhënë 34 asistime.
Ai fitoi Bundesligën pesë herë radhazi si dhe një Champions League.