De Biasi beson te kualifikimi: Nuk kam zili për Sylvinhon
Dy fitoret kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe, vendi i dytë në grup dhe kriza e Polonisë kanë ndezur ëndrrën e Shqipërisë për të shkuar sërish në Evropian. Rruga është ende e gjatë, por jo e panjohur. Shtatë vite më parë, me Gianni De Biasin në krye, kuqezinjtë ia dolën të shkruanin historinë.
Tani, ndoshta edhe nga dëshira e madhe për të qenë sërish në një kompeticion kaq të rëndësishëm, kanë nisur t’i kërkojnë Silvinjos atë që bëri De Biasi: kualifikimin në “Euro 2024”. A janë shanset për ta bërë këtë? De Biasi thotë “po”.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, italiani thotë se Shqipëria i ka kartat në rregull, që jo vetëm të kualifikohet, por edhe të zërë vendin e parë në grup. “Ia thashë Dukës që kur ishim bashkë në hedhjen e shortit në Frankfurt se patën fat.
Natyrisht, nuk prisja që Polonia të pengohej kaq herët, por ama i thashë se me këtë grup mund të dilni të parët ose të dytët”, është batuta e De Biasit që në start.
De Biasi, a e keni ndjekur Shqipërinë?
Kam parë një pjesë të madhe të ndeshjes kundër Moldavisë. Ndaj Ishujve Faroe nuk e ndoqa dot direkt, por pashë disa pjesë dhe natyrisht golat.
Si do ta vlerësonit këtë ecuri të Kombëtares?
E pritshme. Brenda normales. Shqipëria ka një grup të mirë, mendoj më të favorshëm se ai në 2016, por ndërkohë ka edhe një grup lojtarësh cilësorë që mund të bëjnë surprizën.
Për çfarë surprize e keni fjalën?
Që mund të renditet edhe e para në grup.