De Biasi: Do e merrja me qejf drejtimin e Shqipërisë
Ish-trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi në një intervistë të dhënë së fundmi për emisionin “FanZone” komentoi deklaratat e Panuccit për mediat italiane dhe foli për të ardhmen e tij.
“Më duket një debat idiot dhe nuk dua të përfshihem aspak, por Panucci ka thënë ndër të tjera që e ka marrë Shqipërinë në vendin e katërt dhe e ka çuar në të tretin, gjatë fushatës eliminatore të Botërorit 2018. Në fakt ka kujtesë të shkurtër, pasi ne ishim të tretët kur u largova unë dhe e mbyllëm edicionin po të tretët. Mesa duket atij i djeg shkarkimi që në ndeshjen e parë eliminatore të Euro 2020-ës, ose harron shpejt. Unë kisha vite te Shqipëria dhe u mundova t’i jap sa më shumë informacione, pa i prekur autonominë, por pas një apo dy muajsh kuptova që donte të vijonte në rrugën e tij dhe e lashë. Nuk di të them ku gaboi, por gaboi dhe më vjen keq sepse edhe Shqipëria humbi mundësinë të bënte më mirë në eliminatore apo në Nations League”.
Kumbulla? Po bën një sezon fantastik. E kam njohur 5 vite më parë, kur luante me moshat e Veronës, por atëherë ishte shumë i ri. Ka ecur shumë dhe e kam ndjekur me vëmendje këtë sezon, ndaj mund të them fjalët më të mira. Më vjen mirë që Shqipëria ka një futbollist si ai, që ndihmon ekipin të rritet dhe të shohë më lart.
Rikthim te Shqipëria? Kombëtarja Shqiptare është në duar të sigurta, të një profesionisti të madh si Edi Reja dhe nuk ka nevojë për mua. Nëse në ndonjë moment do të kërkonin trajner, do të vija me shumë qejf.