De Biasi e krahason Strakoshën me Donnarumman
Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi i ka bërë një analizë skuadrës së Lazios, ku ndër të tjera ka folur edhe për paraqitjet jo të kënaqshme të portierit shqiptar Strakosha, të cilit i ka dalë në mbrojtje.
“Mendoj se Thomas Strakosha gjatë sezonit të kaluar tregoi se mund të bëjë gjëra të mëdha, është një portier i madh, por ende i ri. E kam parë që është përmirësuar shumë në lojën me këmbë, por, gjithsesi, ka nevojë të luajë në vazhdimësi dhe të fitojë më shumë eksperiencë.”
Për të treguar se Strakosha nuk meriton kritika, por vetëm besim, që të përmirësohet më tej, De Biasi e krahason me Donnarumman.
“Nuk më duket që portierët e tjerë të rinj kanë bërë më mirë se ai, mjafton të shohësh Donnarumman.”
Ndërsa për ecurinë e Lazios, trajneri italian me pasaportë shqiptare analizon:
“Duke përjashtuar ndonjë rrëshqitje këmbe, mund të themi se Lazio po bën mirë. Duhet të shohë vetëm shtëpinë dhe futbollistët e saj. Të gjithë kanë ëndërr pjesëmarrjen në Champions, por aspekti psikologjik është thelbësor për ta arritur këtë objektiv. Diferencën në këtë rast e bën trajneri. Lazio i ka mundësitë, hendekun në cilësi me skuadrat e tjera duhet ta rikuperojë me motivim. Gjithsesi, Lazio dhe trajneri Inzaghi nuk duhen vënë në presion”.