De Biasi me video mbi gjenocidin serb në Kosovë dhe këngë për Adem Jasharin i motivoi futbollistët para ndeshjes me Serbinë

04 nëntor 2021 | 11:16

Andi Lila ka kujtuar kohën kur kombëtaren e drejtonte De Biasi, me të cilin arritën edhe përfaqësimin më të madh të Kombëtares Shqiptare, në Evropianin e zhvilluar në Francë më 2016.

Ai e vlerëson trajnerin jo vetëm nga ana taktiko-teknike, por sidomos edhe nga ana e përgatitjes emocionale.

“Misteri na e bëri të qartë, se kishim vetëm një rrugë të arrinim kualifikimin- vetëm nëse të gjithë futbollistët, ngado që vinim, nga Tirana, Prishtina apo Shkupi, duhej të mendonim të gjithë si trup i vetëm, si një flamur”, rrëfeu Lila për “Refleksione” në “ABC”, duke kujtuar situatën përpara ndeshjes me Serbinë në Beograd, më 14 Tetor 2014.

“Është një natë që nuk do e harroj kurrë, një natë me emocione të jashtëzakonshme. Ne e dinim rëndësinë, pasi 6-7 lojtarë vinin nga Kosova. E në momentin që droni u fut në fushë, në u bëmë një për të mbrojtur flamurin. Ishte një krenari e jashtëzakonshme”, tha Lila, duke kujtuar se përpara ndeshjes, trajneri zgjodhi një motivim të veçantë, teksa i ftoi futbollistët në dhomën e video-analizës, dhe u vuri një video nga gjenocidi serb në Kosovë.

“Kjo video me masakrat në Kosovë u mbyll me një këngë për Adem Jasharin. Dhoma ishte e errët. Unë isha i përlotur dhe kisha frikë se mos shokët mendonin se mos po ndjeja frikë për ndeshjen. Por, kur ktheva kokën, pashë që të gjithë ishim të përlotur. Ishte një motivim i jashtëzakonshëm, ishte një karikim lufte përpara ndeshjes”, kujton Lila atë ndeshje përballë 32 mijë tifozëve serbë. “Bëmë atë që duhet të bëjë kushdo për flamurin e tij”, tha Lila.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sërish është nisur për një…