Luis De La Fuente dhe Spanja e tij do kërkojnë që të largojnë nga gara Gjermaninë, që e luan këtë Europian në shtëpinë e saj, teksa në konferencën për shtyp, trajneri i “La Roja” në rezervoi fjalë mjaft të mira për kundërshtarin, por në krahun tjetër tregoi besimin që ka se djemtë e tij mund ta kalojnë me sukses dhe këtë ndeshje të vështirë.
“Mendoj se do të jetë një ndeshje e ekuilibruar. Mund të ishte dhe finalja e Europianit një përballje e tillë. Gjermania është mjaft e rrezikshme në minutat e para dhe ndaj duhet kujdes maksimal dhe t’i përgjigjemi me të njëjtën mënyrë. Duhet të jemi vigjilent që në minutën e parë. Ne e njohim ekipin e tyre, por ne do të bëjmë punën tonë. Qëllimi ynë do të jetë të shfrytëzojmë momentet e tyre të dobësisë. Jemi jashtëzakonisht të përqendruar për këtë ndeshje”,- u shpreh tekniku “iberik”.
Më tej, Dela Fuente foli edhe për “arkitektin” gjerman të mesfushës, Toni Kroos, teksa u shpreh se ndjen keqardhje që një lojtar i tillë, i cili performon në ato nivele nuk do të jetë më në aktivitet pas Evropianit.
“Ai është një lojtar i klasit botëror. Një ditë çdo futbollist e lë futbollin, por futbolli nuk i lë kurrë lojtarët si Kroos… Ai ka shumë talent. Kur futbollistët e kanë përballë një lojtar si ai ndihen në vështirësi. Është mëkat që ai po tërhiqet, do të doja të vazhdoja ta shikoja atë duke luajtur”,- përfundoi spanjolli.