De Laurentiis thumbon Juven: CR7, blerje e mirë komerciale
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, është shndërruar në një “show-man” të vërtetë gjatë këtyre ditëve të afatit kalimtar.
Bosi napolitan është rikthyer të flasë sërish për transferimin e Cristiano Ronaldos te Juventusi, duke e cilësuar më tepër si një lëvizje komerciale sesa sportive.
“Ronaldo te Juventusi ishte një gjetje e bukur nga ana komerciale. Tashmë bardhezinjtë kanë përmirësuar imazhin e tyre dhe do të mund të afrojnë më shumë sponsorë, por të shpenzosh një shifër të atillë për një 34-vjeçar duket e paimagjinueshme. Në fund do të shohim, nëse përfitimet e Juves do të jenë më të mëdha në aspektin komercial, apo edhe atë sportiv”, ka thënë De Laurentiis, i cili ka folur edhe një herë për propozimin që iu bë Napolit për t’i marrë shërbimet e Ronaldos para se të dilte në skenë Juventusi, ndërsa tregoi edhe arsyet pse nuk u finalizua ky operacion.
“Kur Mendezi ma ofroi Ronaldon dhe më tregoi për kostot, i thashë se do ta blija, nëse binim dakord që 250 milionë eurot e para që do të vinin nga marketingu, do t’i përfitonte Napoli dhe të tjerat më pas, futbollisti. Më pas erdhi Juventusi, që vendosi të rrezikojë…”, ka shtuar De Laurentiis.