Debat i ashpër, Ymeri – Mujës: Buxheti po rritet, qytetarët po varfërohen
Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje, në “Debat Plus” u krenua me ato që i quajti arritje të Qeverisë së Kosovës. Muja e përmendi edhe rritjen e buxhetit të shtetit, duke e futur në listën e sukseseve të Qeverisë.
Me të nuk u pajtua analisti politik, Visar Ymeri, i cili tha se është paradoksale se me rritjen e buxhetit qytetarët po varfërohet.
“E kemi një paradoks, buxheti po rritet, kjo rritet edhe për shkak të formalizmit, e pranoj këtë punë të qeverisë, por nuk është faktori kryesor. Ndërkohë që qytetarët po deklarojnë se po varfërohen, sipas UNDP-së”, tha ai.
Ymeri e citoi raportin e UNDP-së, ku thuhet se “në vitin 2021 përqindja e qytetarëve që kanë shpenzu më shumë se 200 euro në artikuj ushqimor ka qenë 38% është rritë në 47% në 2022, është bërë 59% në vitin 2023”.
Sipas tij me rritjen e inflacionit ka rënë edhe cilësia e jetës së një pjese të qytetarëve të Kosovës. Ymeri theksoi se çështja e inflacionit nuk është adresuar si duhet nga Qeveria e Kosovës.
“Për me mirëmbajt të njëjtën cilësi të jetës, krejt këto familje është dashtë të kenë rritje rroge të njëjtë që mos me ju ra kjo përqindje me u shpenzu vetëm për shpenzim. Nëse të rriten shpenzimet për ushqim nuk mbesin të mjaftueshme për shpenzime të tjera, ndikohet cilësia e jetës. Kjo është për ndikimin e inflacionit, e cila nuk është adresu nga qeveria. Jeta e qytetarëve është varfëru, edhe për shkak të buxhetit. TVSH-ja është tatim në konsum, të gjithë e paguajnë TVSHN-në… kur ta paguajnë TVSH-në njëjtë ju kushton jeta më shtrenjtë se ata që kanë të ardhura më të larta”, tha ai.
Ymeri tha se Qeveria nuk e ka bërë asnjë ndryshim në politikat fiskale, porse sipas tij ka pasur një menaxhim më të mirë se qeveritë e kaluara.