Debati për dialogun vazhdon në orën 22:00, LV-ja nuk merr pjesë
02 mars 2023
| 16:17
Është ndërprerë seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën ishte duke raportuar kryeministri Albin Kurti për dialogun me Serbinë, konkretisht për pranimin e planit evropian.
Ishte kryeministri Kurti, ai që është larguar i pari nga seanca në orën 16:00, duke thënë se ka agjendë tjetër dhe se është i gatshëm të kthehet në Kuvend në orën 22:00.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se kjo parti si inicuese debatit parlamentar për dialogun do të jetë në Kuvend në orën 22:00. Të njëjtin qëndrim e kanë dhënë edhe Abelard Tahiri nga PDK-ja dhe Besnik Tahiri nga AAK-ja.
Ndërsa shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në vazhdimin e këtij debati parlamentar.