Debatohet për kompetencat e Asociacionit dhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës
Ekipi menaxhues për themelimin e Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe është takuar të mërkurën në Mitrovicë me dekanin paralel të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës me selinë e përkohshme në Mitrovicë, Vladan Mihajloviq dhe me një ekip ekspertësh ligjorë, të deleguar nga komunat veriore, me qëllim të mbështetjes së punës së këtij ekipi.
Ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës, është thënë se është i nevojshëm që të ketë një bazë të vlefshme ligjore për funksionimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me marrëveshjen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.
Kështu ka deklaruar, Vladan Mihajloviq, pas takimit që ka zhvilluar me ekipin menaxhues.
Në takim është biseduar për strukturën dhe përmbajtjen e projekt-statutit të Asociacionit të komunave serbe dhe shumë aspekte të tjera ligjore rreth hartimit të këtij dokumenti, thuhet në një komunikatë për media.
Përfaqësuesit e ekipit menaxhues kanë bërë me dije se këtë mandat e kanë marrë nga Bashkimi Evropian dhe se fushëveprimi i këtij ekipi është përcaktuar me marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut të Brukselit.
“Po ashtu, është specifikuar se as Prishtina dhe askush tjetër, nuk ka mandat të kontrollojë ose drejtojë punën e ekipit menaxhues”, është thënë në komunikatën e Ekipit menaxhues për themelimin e Asociacionit.
Ky ekip, sipas të njëjtës komunikatë, do të vazhdojë të zhvillojë takime të rregullta konsultative me ekspertët, qoftë në fushën juridike, ashtu edhe në fusha të tjera lidhur me kompetencat e ardhshme të Asociacionit.