Debutim i suksesshëm për Zogajn në Danimarkë
Hendbollistja e re e Kosovës, Njoma Zogaj ka luajtur të dielën ndeshjen e parë zyrtare në nivelin e të rriturave. Ajo u paraqit për skuadrën EH Aalborg që fitoi 32:18 ndaj Gudme HK.
Zogaj luajti rreth dhjetë minuta kurse shënoi dy gola. EH Aalborg garon në kategorinë e dytë daneze, ku paraqiten edhe disa reprezentuese të Kosovës.
“Mendoj se kam pasur paraqitje të mirë. I kisha edhe katër asistime, ndërsa e kam siguruar një penallti. Po ashtu kam luajtur mirë në mbrojtje. Isha në mes në mbrojtjen 5:1”, ka thënë Zogaj për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Njoma këtë vit është promovuar në ekipin e parë të Aalborgut nga të rejat e këtij klubi. Së shpejti pritet të përfundojë procedura e pajisjes së saj me dokumente të Kosovës. Njoma 20-vjeçare së shpejti do të jetë në dispozicion të selektorit Agron Shabani.