![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/250205_training-ramaj-03-600x360-1.jpg)
Debutoi me Copenhagen, Diant Ramaj vlerësohet për paraqitjen e tij
Edhe pse zhgënjimi e përfshiu skuadrën dhe tifozët e Copenhagenit pas disfatës nga Heidenheimi, pati diçka që është vlerësuar pozitive.
Paraqitja debutuese në ndeshje zyrtare e Diant Ramaj ishte arsye për optimizëm.
Portieri me prejardhje nga Kosova e përfundoi ndeshjen me paraqitje që u vlerësua pozitive, ndërsa në golat e pësuar nuk ishte fajtor.
Skuadra e madhe daneze të enjten mbrëma u mposht 2:1 në ndeshjen e parë të plejofit të fazës nokaut të Ligës së Konferencës. Copenhageni humbi në shtëpi nga Heidenheimi. Heidenheimi po lufton për mbetje në elitën gjermane.
“Ishte fantastike që debutova në këtë stadium. Ka qenë ndjenjë shumë e mirë edhe pse rezultati nuk ishte ai që ne e dëshironim. Por, do të kemi tjetër ndeshje javën e ardhshme. E kishim lojën nën kontroll në pjesën e parë, ndërsa gjërat nuk funksionuan në pjesën e dytë. Por, nga kjo ndeshje ne duhet t’i marrim gjërat e mira”, ka thënë Diant Ramaj pas ndeshjes për mediumin danez “Tipsbladet”.
Ramaj është 23-vjeçar. Ai më 3 shkurt iu bashkua Borussia Dortmundit dhe menjëherë u huazua te Copenhageni deri në fund të sezonit. Deri tani ishte tek Ajaxi, por vetëm rezervist.
Paraqitjen e Ramajt e ka vlerësuar edhe Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA). UEFA pas përfundimit të ndeshjeve të para të këtij raundi e ka veçuar Ramajn bashkë me katër portierë që patën pritjet më të mira të mbrëmjes.
Përveç pritjeve të Ramajt, janë edhe ato të portierit Yuri Lodyagin të Panathinaikosit, Frank Feller të Heidenheimit, Davy Roef të Gentit dhe Fabiano të Omonias.
I kënaqur me paraqitjen e portierit ka qenë edhe trajneri Jacob Neestrup.
“Ai bëri paraqitje të mirë. E lexoi mirë lojën dhe pati disa pritje të mira”, ka thënë trajneri i Copenhagenit.
“Ai ka aftësi teknike dhe taktike në aspektin e leximit të lojës, nuk ka presion, i sheh hapësirat e lira dhe e ka guximin që të luajë. E lehtë është të kesh guxim kur ke aftësi në këto aspekte të lojës”.
Për bashkëlojtarin e tij të ri u pyet edhe mesfushori Thomas Delaney.
“Ai është i mirë kur e ka topin në këmbë dhe është i fortë në lojën në ajër. Po ashtu flet gjatë lojës. Megjithatë, më vjen keq që ndeshja e tij e parë shkoi kështu, por është portier premtues”, thotë Delaney.
Copenhageni do të mundohet që të marrë rezultat pozitiv në ndeshjen kthyese.
Diant Ramaj beson se në Gjermani do të mund të nxjerrin rezultat të favorshëm.
“Kishim kontroll të mirë në pjesën e parë dhe nëse e bëjmë të njëjtën gjë për 90 minuta, kemi shanse të mira. Kishim edhe shanse të tjera për të shënuar gola. Vetëm duhet që t’i shfrytëzojmë ato”.
Ramaj ka theksuar se nuk ndien presion nga fakti se i pësoi katër gola në miqësoren ndaj AGF-së. Ndaj Heidenheimit e nxori dy herë topin nga rrjeta.