Deçan, bëhet përurimi i Shtëpisë Integruese në Bashkësi
Me rastin e përurimit, u.d. drejtoresha e përgjithshme e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu-Raçi, tha se është e lumtur që sot po përurohet kjo shtëpi, në Deçan, ngase i ka munguar këtij qyteti.
Sipas saj, Qendrat e Shëndetit Mendor dhe Shtëpive Integruese në Bashkësi, (QShM-Shib), janë storie e suksesit.
Ajo theksoi se do të angazhohet që të kompletohet stafi, në mënyrë që shërbimet të ofrohen 24-orë, ngase aktualisht do të ofrohen shërbime vetëm në orarin e paradites.
Nysret Pepaj, drejtor i Qendrës së Shëndetit Mendor dhe Shtëpive Integruese, në Pejë, tha se institucioni që hapi dyert ditën e sotme do të jetë ndihmesë e madhe për qytetarët e Deçanit që kanë nevojë për shërbime.
Ai falënderoi për përkrahje Komunën e Deçanit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe ShSKUK-në.
Ish-drejtori, Skender Kandiç, tha se investimi për këtë objekt kishte filluar disa vjet më parë, por Pandemia e Covid-19, kishte penguar finalizimin dhe përurimin e saj, andaj i gëzohet faktit se sot u finalizua ky projekt.