Deçan, Ramosaj krijon shtabin emergjent për gjendjen e krijuar pas reshjeve
Pas vërshimeve në Deçan që erdhën si pasojë e shiut, kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, ka thirrur një takim të jashtëzakonshëm, ku edhe bashkë me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Shërbimin e Zjarrfikësve, Policinë e Kosovës dhe Kompaninë “Higjiena”, si dhe kompanitë tjera, kanë krijuar një shtab të emergjencave.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të komunës së Deçanit, ku thuhet se janë marrë të gjitha masat e nevojshme që të kthehet gjendja e krijuar në normalitet.
“Jam i shqetësuar edhe unë si kryetar i komunës me këtë gjendje. Kjo situate është krijuar si pasojë e një kanali i quajtur ,,Përroi i Ukjave,, cili xhindet në kryqëzimin e rrugës ,,Sali Çeku,, tek rruga që të dërgon tek Manastiri dhe rruga e UÇK-së. Ky kanal disa herë është pastruar dhe betonuar por kjo vjen si pasojë e pakujdesisë së qytetarëve të cilët në vazhdimësi hedhin mbeturina, dhe një shi i rrëmbyeshëm sikurse ka rënë mbrëmë sjell edhe pasoja dhe dalje te ujit nga shtrati neper qytet”, deklaroi Ramosaj.
Gjatë këtij takimi me shtabin emergjent, ai bashkë më kompanitë e kontraktuara dhe shtabin e krijuar kanë dalë edhe në terren për të parë nga afër gjendjen .
Ata kanë vizituar edhe fshatrat Carrabreg, Prilep, Rastavicë, Baballoq , Isniq, dhe Dubovik.
Ekipet emergjente me kompanitë e kontraktuara janë dukë punuar në lirimin e urave në Carrabreg , Prilep dhe Baballoq ku paraqesin më shumë rrezik për përmbytje.
“Besoj se deri në orët e mbrëmjes gjithçka do të normalizohet ndërsa ky shtab më pastaj do të dalë në terren dhe do të bejë edhe verifikimin e dëmeve nëse ka shkaktuar në ndonjë ekonomi familjare apo biznese. Vlen te theksohet se përkundër gjendjes së krijuar situata është nën kontroll”, ka theksuar Ramosaj.
Ramosaj po ashtu ka ftuar qytetarët që të kenë kujdes, ndërsa kërkoi që fëmijët të jenë nën përcjelljen e të rriturve.