Deçani i jep mbështetje iniciativës për ngritjen e memorialit për vëllezërit Bytyqi
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë me dije se bordi i drejtorëve të kësaj komune, i ka dhënë mbështetje iniciativës së deputetit Daut Haradinaj për ngritjen e memorialit kushtuar vëllezërve Bytyqi.
Ramosaj ka thënë se kjo komunë do të kontribuojë edhe financiarisht për ndërtimin e këtij memoriali.
“Në takimin e mbajtur sot me Bordin e drejtorëve, përveç mbështetjës së iniciativës së deputetit Daut Haradinaj, për ngritjen e memorialit kushtuar vëllëzërve Bytyqi, Komuna e Deçanit shpreh gatishmërinë të participojë edhe financiarisht brenda mundësive të saj. Lavdi e përjetshme!”, ka njoftuar Ramosaj.
Vëllezërit Agron (23), Mehmet (21) dhe Ylli Bytyqi (25) si qytetarë amerikanë gjatë luftës në Kosovë kishin vendosur që t’i bashkohen UÇK-së në kuadër të batalionit “Atlantiku”. Ata ishin vrarë në Serbi pas përfundimit të luftës çlirimtare (1999). Që nga ajo kohë askush nuk është dënuar në lidhje me vrasjen e vëllezërve Bytyqi.