Deçani me asnjë qytetar në ISIS, kurse Hani i Elezit me njëmbëdhjetë
Asnjë person nga Deçani nuk ka shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak, thuhet në një raport të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).
Sipas këtij raporti, arsye për këtë është angazhimi më i madh i komunitetit dhe i Bashkësisë Islame të Deçanit dhe moslejimi i hoxhallarëve të tjerë për të ligjëruar nëpër xhamitë e kësaj komune.
“Numri i luftëtarëve të huaj nga Komuna e Deçanit është asnjë, ose të paktën gjatë periudhës së hulumtimit tonë, ne nuk kemi arritur të identifikojmë asnjë person që është larguar nga Komuna e Deçanit dhe i është bashkuar luftës në Siri dhe Irak. Ne nuk kemi arritur të identifikojmë asnjë rekrutues në këtë komunë. Nuk kemi arritur të identifikojmë asnjë OJQ ose strukturë joformale të dyshimtë, siç janë në qytetet e tjera”, ka thënë Rudina Jakupi njëra nga autoret e raportit.
Ndërkohë sipas QKSS-së, 52 për qind e qytetarëve të Deçanit nuk i besojnë institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Qyteti tjetër me të cilin është krahasuar Deçani, është Komuna e Hanit të Elezit.
Ky qytet ka pasur probleme më të mëdha me ekstremizmin e dhunshëm, kryesisht për shkak të afërsisë kufitare me Maqedoninë dhe qytetin e Kaçanikut, ku ka pasur më shumë persona të radikalizuar.
Sipas QKSS-së, hoxhallarë me prirje ekstremiste nga Maqedonia dhe predikues nga Kaçaniku kanë pasur qasje në xhamitë e Hanit të Elezit dhe kanë ndikuar në rekrutimin e njerëzve.
“Deri tash, ne kemi identifikuar 11 luftëtarë të huaj. Gjithashtu kemi arritur t’i identifikojmë edhe dy OJQ që kanë vepruar më herët në Komunën e Hanit të Elezit, Kaçanikut dhe që dyshohet se kanë kryer aktivitete joligjore”, ka deklaruar Jakupi.
Rreth 60 për qind e qytetarëve të Hanit të Elezit nuk besojnë në Bashkësinë Islame të Kosovës, u tha në publikimin e raportit të QKSS-së.
Me 11 persona që i janë bashkuar grupit militant Shtetit Islamik (IS), Hani i Elezit mbetet komuna me numrin më të madh të luftëtarëve të huaj për kokë banori në Kosovë.