Deçani përkujton komandantin e UÇK-së, Halim Tolaj (Foto)
Komuna e Deçanit në bashkëpunim me Degën e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në këtë komunë, kanë përkujtuar të dielën komandantin Halim Dervish Tolaj në njëvjetorin e vdekjes së tij.
Në ceremoninë përkujtimore kanë marrë pjesë, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj, Rasim Selmanaj, Teuta Haxhiu, Gazmend Syla e Arbër Tolaj, kryetari i OVL-UÇK-së së Dukagjinit, Avdyl Mushkolaj, familjarë të Tolajt dhe qytetarë.
Me këtë rast, është thënë se Halim Tolaj nga Prejlepi i Deçanit tërë jetën ka qëndruar i palëkundur në idenë shqiptare dhe i palodhshëm në veprim për lirinë e atdheut. Në përvjetorin e parë të ndarjes nga jetë është bërë zbulimi i pllakës së varrit në Kompleksin e Varrezave të Dëshmoreve të Kombit në fshatin Prejlep, aty komandant Tolaj pushon përjetësisht pranë shokëve bashkëluftëtarë.
/Epoka e re/