Deda: Kandidimi i Hamzës për kryeministër, hap i mençur i PDK-së
Analisti politik, Ilir Deda, ka folur për figurën e kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamzën, për të cilin tha se e njeh shumë gjatë dhe ka respekt për punën që ky i fundit e ka bërë.
Deda e cilësoi si vendim të mençur vendimin e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi dhe të gjithë partisë për kandidimin e Hamzës për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.
“Besoj që kjo tregon se PDK-ja do të fokusohet në ekonomi në zgjedhjet e ardhshme, që edhe ashtu i duhet më së shumti Kosovës”.
“Tash do të jetë koha vendimtare që në këtë vend të flitet për zhvillim ekonomik. Kësaj here nuk ka ikje prej temës së zhvillimit ekonomik dhe besoj se Bedri Hamza do ta prezantojë një program qeverisës kredibil, njëjtë sikur LDK-ja që e ka programin qeverisës jashtëzakonisht të mirë”, tha Deda në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se kandidimi i Hamzës është hap i duhur dhe sipas tij, është sinjal se partitë opozitare do të fillojnë të fokusohen më shumë në temën e ekonomisë, për të cilën tha se Kosova vuan nga mungesa e fokusit në këtë temë.