Deda: Kosova është përfshirë pa të drejtë në konfrontim skandaloz dhe me pasoja afatgjate
Cenimi i raportit të Kosovës me ShBA-në dhe diskutimi që po ndodh ditëve të fundit që nga vendimi i qeverisë për t’i çuar kryetarët në veri, e ka nxitur të flasë edhe Ilir Dedën, i cili tashmë nuk është aktiv në politikë.
Deda, i cili në të kaluarën ka qenë deputet i Kuvendit, ka thënë se në gjithë këtë përplasjen pro dhe contra po harrohet se është hera e fundit që në qeverisjen amerikane janë njerëzit që e dinë kontekstin e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë meqë kanë qenë edhe vetë të përfshirë në procesin e vendosjes së paqes.
“Në këtë përplasjen ‘për’ e ‘kundër’, po harrohet që është hera e fundit që në establishmentin e Shteteve të Bashkuara janë njerëzit që e dinë jashtëzakonisht mirë kontekstin e shkatërrimit të ish Jugosllavisë, duke qenë direkt të përfshirë në të gjitha proceset e vendosjes së paqes”, ka shkruar Deda në “Facebook”.
Ai ka thënë se brezat e ardhshëm nga dy kampet amerikane nuk do të kenë fare ndjesi për kontekstin e ngjarjeve të viteve të 90-ta dhe shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
“Brezat e ardhshëm – demokratë apo republikan – nuk do të kenë fare ndjesi për kontekstin e luftërave në ish-Jugosllavi. Kosova, me të drejtë, kundërshtoi projektin e ndarjes se vet, që përkrahej nga administrata republikane. Kosova, me të drejtë, kundërshtoi prishjen me të gjithë aleatët perëndimor gjatë tentimit të zhbërjes së Gjykatës Speciale. Por tash, Kosova – pa të drejtë është në konfrontim skandaloz, shkurtpamës dhe jashtëzakonisht të dëmshëm e me pasoja afatgjata, me garantuesit e sigurisë dhe shtetësisë së vet, pa të cilët nuk do të krijohej shteti i Kosovës”, ka shkruar Deda.