
Deda: Një pjesë e skenës politike në Kosovë ka urrejtje ndaj shtetit
Analisti Ilir Deda ka thënë në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, se një pjesë e skenës politike e urren vendin e vetë.
Ai u shpreh i lumtur që më 5 prill po nisin protestat e para që kanë të bëjnë me shtrenjtimin e rrymës, dhe kështu shpreson që qytetarët e Kosovës të dalin sa më shumë në rrugë për çështje të ndryshme.
“Me vullnet politik po hymë në një kaos institucional dhe po gëzohem që me 5 prill janë protestat e para që kanë të bëjnë me shtrenjtimin e rrymës, dhe shpresoj që më në fund qytetarët e këtij vendi me mendu me kokën e vet dhe me dalë në rrugë sa më shumë për çështje të ndryshme, se këtu çka po shohim ne është që një pjesë e skenës politike e urren vendin e vet. Një pjesë ka urrejtje ndaj shtetit, nuk ka parti fituese në botë e cila për shkak të hidhërimit me rezultat zgjedhor e shtyn vendin në një periudhë e cila është historike në kaos të tillë institucional e cila e shkel ligjin të cilin e kanë bërë vet, me këtë ligjin për qeveri, që në fund po e shkelin, të cilët para dy ditësh e bënë një emërim të jashtëligjshëm për një zyrtar të dyshuar në aferën e rezervave shtetërore. Ky është një ballafaqim i popullit shqiptar në Kosovë me një pjesë të elitës vetë politike”, thotë Deda.
“Jam gëzuar që ka iniciativë dhe shpresoj që dalin sa më shumë njerëz, e kur mbetesh pa institucione koha qysh kalon, njerëzit edhe frustrohen me papërgjegjësinë e të zgjedhurit të tyre”, ka thënë ai.