Deda: Nuk bëhet fjalë për zhbërjen e Speciales, por të Kosovës
Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se ka ndodhur një manipulim i jashtëzakonshëm rreth iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
“Debati për Gjykatën Speciale ka qenë deri në vitin 2015. Kur është bërë ligji dhe Dhomat e Specializuara kemi debatuar dhe tash dy vjet e gjysmë më vonë vendos ta shfuqizosh me një iniciativë që thuhet se është plotësim ndryshim i Speciales/ Debati nuk është për gjykatë, a jo, por a je për zhbërje të Kosovës, a jo”, ka thënë Deda.
Ai ka thënë se dihen pasojat nëse Kosova e shfuqizon Specialen.
“Pozitive ka qenë reagimi i shpejtë jo vetëm i joni por edhe i mediave dhe shoqërisë civile. Është pjesa demokratike që ka çuar kokën. Rrezikimi i Republikës së Kosovës është antinacionale”, është shprehur Deda.
Ai ka thënë se të gjitha forcat politike i dinë cilat janë pasojat, të cilat siç është shprehur iu kanë thënë të gjithëve.
“Të mbesim me shpresë që kjo iniciativë ka mbetur në vitin e kaluar dhe që nuk do të na kthehet në vitin 2018. Kam drojë që mund të kthehet. Ata nuk i kanë 61 deputetë që ua siguron kuorumin. Partitë opozitare jemi të vetëdijshëm për pasoja dhe nuk janë gati të hyjnë në këtë aventurë të kryetarit të Kosovës”, ka thënë ai. (Klan Kosova)