Dedaj i reagon Osmanit, thotë se ndaj tij po bëhen shpifje të ulëta, përndjekje dhe linçim
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka reaguar në lidhje me aktakuzën që i është ngritur nën pretekstin se ka kërcënuar presidenten Vjosa Osmani.
Dedaj ka mohuar kategorikisht te ketë kërcënuar Osmanin të cilën e ka akuzuar se e ka lënë pa punë tash e tri vjet, duke e shkarkuar nga pozita e ambasadorit në Shkup.
“Unë asnjëherë nuk e kam kërcënuar as kanosur askënd dhe më së paku një grua as me fjalë, as me ligj as me kanun, sepse po të isha i tillë ajo nuk do më kishte shkarkuar as nuk do të keqpërdorte pushtetin dhe ligjin për aktakuza të rrejshme politike dhe bolshevike ndaj meje”, ka shkruar Dedaj në “Facebook”.
Ai ka thënë se nëse vërtetë ka drejtësi në Kosovë, Osmani një ditë ka për të dhënë llogari para ligjit.
Postimi i plotë i Dedajt
Reagim ndaj shpifjeve të ulëta, përndjekjeve, linçimit dhe kërcënimeve të Vjosa Osmanit
“Shpifësi është kafsha më e egër e cila kafshon më së shumti, lajkatari është kafsha e egër që kafshon më së buti!” – Diogjeni
Ngritja e shpifur, e sajuar dhe e porositur e aktakuzës së Vjosa Osmanit, ndaj meje në emër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, është një akt i shëmtuar, hakmarrës dhe linçues, i cili ka për qëllim mjegullimin e dështimeve të kësaj asistente për falimentimin e politikës së jashtme, të partneritetit euroatlantik dhe të diplomacisë së Kosovës!
E njohur tashmë si pirate dhe profitere politike, Vjosa Osmani me këtë tendencë për trafikim të drejtësisë, dëshmon ambiciet e saja të sëmura, për të kapur prokurorinë, gjyqësinë dhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, afër dy vjet kjo nuk e dekreton kryeprokurorin e Kosovës, me qëllim për të vënë nën kontroll dhe në shërbim të saj personal dhe të pushtetit, institucionet prej të cilave politika dhe shteti, në vendet tjera demokratike qëndrojnë sa më larg tyre.
Sulmi i Vjosa Osmanit ndaj meje është bërë që nga ardhja e dyshimtë, si thonë përmes votave të kontrabanduara të pas mesnatës në krye të presidencës, siç dyshohet edhe me ndihmën e Listës Serbe, për të filluar hakmarrjet politike me metoda të Gestapos raciste, nepotiste dhe staliniste, me shkarkimin tim nga pozita e ambasadorit në Shkup, për ta dërguar pastaj fillimisht burrin e vetë, “Zotëriun e Parë” të saj, në krye të ambasadës!
Me këtë veprim, Osmani ka bërë krim brutal kundër meje, veprim të jashtëligjshëm dhe sulm mbi karrierën, autoritetin, prestigjin, meritokracinë, shëndetin dhe jetën time. Nëse vërtetë ka drejtësi në Kosovë, ajo një ditë ka për të dhënë llogari para ligjit.
Ajo për alibi dhe për të justifikuar këtë krim brutal ndaj meje, tash e keqpërdorë pushtetin, mediet, institucionet e drejtësisë dhe terrorizon familjen time dhe opinionin me shpifje, insinuata dhe gënjeshtra çfarë kanë ditur t’i bëjnë vetëm regjimet e kaluara staliniste, fashiste, komuniste dhe bolshevike.
Shpifja për gjoja kanosjen e sajë përmes kanunit nga ana ime është një kërcënim dhe trillim monstruoz dhe gënjeshtër e ultë, si dhe kurth i saj që lidhet edhe me mikun e ngushtë të saj Erdogan, por e aktualizuar edhe me dëshminë time në Gjykatën Speciale në Hagë, për të nxitur drejtpërdrejt kërcënime fizike ndaj meje, si dhe hakmarrje politike për qëndrimet e mija kritike ndaj pushtetit aktual dhe Vjosa Osmanit, e kacavjerrur herë në LDK e tash në LV, dhe në vend që të luajë rolin e figurës unifikuese, si obligim kushtetues, ajo është bërë një përçarëse e cila nxitë urrejtje dhe tërmet ndërmjet pozitës dhe opozitës, partive politike dhe më gjerë.
Halli i saj është se po i numëron muajt për tu larguar kokulur nga ajo zyre, në të cilën kishte hyrë “nëpër dritare” dhe se çifti Osmani nuk do mund marrin më disa qindra mijëra euro e benificione nga buxheti i Kosovës, për mbulimin e shpenzimeve për vilat luksoze në “Marigona Hill” apo në Australi ku ishin azilantë gjate luftës në Kosovë.
“Stolisja” ime me aktakuzë të rrejshme, bëhet edhe nga frika e saj e kandidimit tim për deputet të Kuvendit të Kosovës, duke e ditur se mu nga ai moment kjo politikane e modelit koreano-veriore, duhet t’i fillojë takimet lamtumirëse në presidencë.
Kjo zonjë e ashtuquajtur presidente po harron se mua veç dëmeve të tjera, për të cilat nëse ka drejtësi do të përgjigjet një ditë, ka tri vjet që me ka lënë pa punë dhe me ZERO të ardhura, siç është e pa punë edhe zonja edhe djali im në Kosovën kur ajo ishte azilante dhe ne e kemi larë me gjak e sakrifica.
Unë asnjëherë nuk e kam kërcënuar as kanosur askënd dhe më së paku një grua as me fjalë, as me ligj as me kanun, sepse po të isha i tillë ajo nuk do më kishte shkarkuar as nuk do të keqpërdorte pushtetin dhe ligjin për aktakuza të rrejshme politike dhe bolshevike ndaj meje.
Por siç duket, kjo e ka marr përsipër porosinë dhe misionin, për të na përndjekur dhe kërcënuar me qellim për të na shpërngulur nga Kosova, me metoda linçuese, shantazh e diskriminim, ashtu siç bënin presion dikur regjimet e kaluara.
Këtë nuk ka mundur ta bëjë as Turqia në shekujt e kaluar, as Millosheviqi në dekadat e fundit, e këtë nuk do mund ta bëjë kurrë as e ashtuquajtura presidente Osmani!
Gjergj Dedaj
25 janar 2024