Dedaj merret në pyetje për një konferencë ku ai thotë se ‘UÇK-ja ishte në mbrojtje të pragut të shtëpisë’
Dëshminë në Dhomat e Specializuara të Hagës në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, e ka vazhduar për ditën e tretë, Gjergj Dedaj, dëshmitari i 33-të.
Mbrojtësi i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, ka dhënë si provë materiale para gjyqit, një video të dëshmitarit duke folur para gazetarëve më 23 shtator të 1998-ës për UÇK-në.
Misetiqi e ka pyetur Dedajn se “a janë të vërteta gjërat që i ka thënë në video dhe a janë të sakta” me atë se çfarë ai di dhe beson.
“Më vjen shumë keq që kjo video nuk është e tëra, kjo konferencë ka zgjatur më shumë, kam thënë mes të tjerash, nuk e di se ka efekt që ta them këtu, por kam thënë se UÇK-ja është në mbrojtje të pragut të shtëpisë, familjeve tona, nderit dhe kam ftuar popullin e Kosovës për solidaritet, kam ftuar NATO-n për me u solidarizuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, edhe gjëra të tjera”.
“Edhe pse thashë se e kam dhënë këtë paraqitje para gazetarëve, nuk e di por diku dy orë pasi jam kthyer nga zonat e luftës, ku kemi parë një terror të tmerrshëm të forcave Serbe ndaj popullatës së Drenicës dhe gjendja jonë ishte e rëndë shpirtërisht, se çfarë kemi parë në Drenicë”, është përgjigjur Dedaj.
Ai është pyetur se a kishte frikë për familjen e tij në kohën kur e ka përmendur UÇK-në.
“Vetëm nga forcat serbe, për vete nuk kam pasur frikë. Familja ime e dini edhe ju është njëra nga familjet që ka pësuar më së shumti në Kosovë nga forcat serbe”.
“Unë jam përqendruar për të thënë të vërtetën dhe saktësinë në atë konferencë, sepse kishte shumë gazetarë në atë sallë, edhe gazetarë të huaj që raportin për mediet e huaja, ishte konferencë me rëndësi, por mund të them se disa individëve aty nuk u ka pëlqyer kjo paraqitje e imja”, është deklaruar Dedaj.