Dedaj në Speciale: Mua duhet të më thirrni vetëm për serbët, s’kam probleme me UÇK-në
Gjatë dëshmisë së tij, Gjergj Dedaj, ka thënë se nuk ka pasur probleme asnjëherë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Serbët janë ata që e kanë bërë atë rast. Serbët janë ata që unë jam sot këtu. Serbët janë ata që e kanë vrarë dhe përgjakur Kosovën. Serbët janë ata që edhe sot nuk e lënë Kosovën të qetë dhe serbët bashkë me Rusinë janë ata që duhet me qenë bashkë këtu në këtë sallë. Ju nuk i keni dënuar serbët. Ju nuk i keni dhënë përgjigje masakrës së Mejes, nuk i keni dhënë përgjigje 40 masakrave në Kosovë. Nuk i keni dhënë përgjigje 20 mijë femrave të dhunuara. Thash për serbët jam këtu. Mua duhet me më thirr vetëm për serbët. Unë nuk kam probleme me UÇK-në. Nuk kam pasur probleme me UÇK-në”, ka thënë Dedaj.
Dedaj ka thënë se nuk ka ushtruar dhunë askush ndaj tij.
Sipas tij, që nga dita e vizitës në Qirez dhe ajo se çfarë kishte ndodhur me pjesëtarët e UÇK-së, ka jetuar duke e përshkruar gjendjen si “gjarpri nën guri”. Ai ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të fyerjes, denigrimit që i kanë bërë opinioni për shkak të asaj se çfarë kishte ndodhur.
“Unë 25 vjet që nga ajo datë kam jetuar si gjarpri nën guri, i fyer, i poshtëruar dhe i denigruar për shkak të opinionit se çfarë ka ndodhur atë ditë sepse e kanë ekzagjeruar qarqet e ndryshme anti-UÇK të ndihmuara edhe nga shërbimet sekrete serbe se me çdo kusht…”, ka thënë Dedaj.