Dedaj njofton qendrat e vendosjes për shkarkimin e tij nga Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla
Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, ka bërë me dije se ka njoftuar Nju Jorkun, Brukselin, Strasburgun dhe Gjenevën zyrtare për shkarkimin e tij nga pozita e ambasadorit nga presidentja Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla.
“Fillimisht kam njoftuar z. Didier Reynders, komisionar i drejtësisë i Bashkimit Evropian në Bruksel, komisionarin e OKB-së për të Drejta të Njeriut në Nju Jork, komisionaren e OKB-së për të Drejta të Njeriut në Gjenevë, Këshillin e Evropës në Strasburg dhe gjatë ditëve në vijim do t’i njoftojë në vazhdimësi personalitetet dhe institucionet relevante evropiane e ndërkombëtare, të të drejtave të njeriut, barazisë, lirive njerëzore dhe të drejtësisë”, ka shkruar Dedaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Dedajt:
Gjenevë, 2 dhjetor 2021
Nju Jorku, Brukseli, Strasburgu dhe Gjeneva, njoftohen me diskriminimin ndaj meje, nga presidentja V. Osmani dhe ministrja D. Gërvalla!
Gjatë këtyre ditëve gjendem për vizitë në Evropë, ku detajisht do t’i njoftoj institucionet evropiane dhe ndërkombëtare, të të drejtave, lirive dhe barazive njerëzore, përkitazi me shkarkimin tim, në mes të mandatit ligjor, nga pozita e ambasadorit të Kosovës në Shkup, nga presidentja Vjosa Osmani dhe ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla.
Vendimi skandaloz që brenda një dite ta lirojë zyrën ishte një atak brutal në personalitetin dhe karrierën time të gjatë politike, një akt i shëmtuar joligjor, përçarës, puro politik, nepotist, i porositur dhe i dirigjuar, duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e mija njerëzore, politike, kushtetuese dhe ligjore, te drejtat e njeriut, të garantuara me ligje dhe Konventën e Vjenës!
Për këtë sulm brutal në personalitetin tim, me pasoja të rënda të gjithanshme, kam njoftuar edhe institucionet e drejtësisë dhe Avokatin e Popullit në Kosovë, duke shpresuar dhe lutur, të mos jenë të kapur dhe të kontrolluar nga politika aktuale!
Fillimisht kam njoftuar z. Didier Reynders, komisionar i drejtësisë i Bashkimit Evropian në Bruksel, komisionarin e OKB-së për të Drejta të Njeriut në Nju Jork, komisionaren e OKB-së për të Drejta të Njeriut në Gjenevë, Këshillin e Evropës në Strasburg dhe gjatë ditëve në vijim do t’i njoftojë në vazhdimësi personalitetet dhe institucionet relevante evropiane e ndërkombëtare, të të drejtave të njeriut, barazisë, lirive njerëzore dhe të drejtësisë.
Diskriminimi dhe linçimi im për qëllime hakmarrëse politike dhe revansh nepotist e interesa partiake, klanore dhe familjare, do të jetë temë në kancelaritë relevante, të cilat i luftojnë këto forma të diskriminimit dhe denigrimit politik e njerëzor, kudo në botën e civilizuar dhe demokratike!
Gjergj Dedaj, ambasador