Dedaj: Nuk frikësohem nga shkarkimi
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Gjergj Dedaj, ka thënë se nuk frikësohet nga mundësia e shkarkimit, pas deklaratave të tij se Kosova nuk duhet të anëtarësohet në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.
Në “Info Magazine” të “Klan Kosova”, ai ka deklaruar se është me rëndësi që vendi të ndjekë shtegun e afrimit me perëndimit dhe se duhet që të ketë kurs të qartë dhe të vendosur në këtë sferë.
“Ka pasur keqkuptim dhe keqinterpretim të qëndrimeve të mia, duke tentuar ta hedhin qëndrimin tim në rrafshin fetar. Qëndrimi im është në përputhje me agjendën nacionale dhe përcaktimin euro-atlantike të Kosovës. Prioritete të Kosovës janë anëtarësimi në NATO, në BE, në INTERPOL në EUROPOL. Unë i jap përparësi dhe prioritet kësaj agjende dhe e mbështes me të gjitha kapacitetet e mia, natyrisht edhe për të dërguar mesazhin se kemi tolerancë unike. Ky mesazh i qytetarëve të Kosovës duhet të kultivohet dhe të respektohet”, ka deklaruar Dedaj duke shtuar se nuk është kundër njohjeve.
“Nuk jam i thirrur, as nuk është në mandatin tim agjenda fetare në Kosovë. Nuk jam kundër njohjeve, përkundrazi jam kampion në lobimin për pavarësinë e Kosovës. Sikur ajo organizatë të mos e kishte parashtesën islamike do të ishte ndryshe. Por kur ka parashtesë fetare, atëherë ndryshon menjëherë. Kam dëgjuar se në këtë organizatë janë edhe Rusia, Mozambiku e shtete të ngjajshme. Por këta nuk janë shembujt më të mirë”, ka deklaruar ai.
Dedaj ka shtuar se nëse Kosova bëhet anëtare e ndonjë organizate fetare do të largohet nga posti i zëvendësministrit.
“Jo që kam thënë, por e mbaj. Nëse Kosova në çfarëdo mënyre bëhet anëtare e organizatave fetare, qofshin krishtere, qofshin islamike, unë largohem menjëherë nga posti. Unë nuk jam zëvendësministër i Behgjet Pacollit, por i Qeverisë të Kosovës. Ai sot mund të jetë, nesër mund të mos jetë. Kryeministër është Ramush Haradinaj dhe unë jam në koalicion qeverisës. Ndaj nuk e kam problem, sepse tjetërkush s’mund as të më shkarkojë, as të më ngarkojë”, ka deklaruar Dedaj.