Dedaj për ministrin serb që lavdëroi terroristët e Banjskës: Ka tendenca që në Maqedoninë e Veriut të ketë impakt ruso-serb
Kryetari i Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoninë e Veriut, Ivan Stoilkoviq, ka dalë haptas kundër shtetit të Kosovës, duke thurur lavde për terroristët serbë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, ku kishte mbetur i vrarë edhe heroi Afrim Bunjaku.
Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, ka thënë se kjo “është e pritshme” prej Stoilkoviqit, pasi partia e këtij të fundit ishte kundër edhe për emërimin e tij si ambasador.
“Nuk është befasi, sepse në vitin 2018 kur jam emëruar ambasador i Kosovës në Shkup, pikërisht partia e tij ka pas dalë publikisht kundër emërimit tim, nuk e di arsyen, por ndoshta ka menduar se duhet me qenë ambasador i Kosovës dikush nga Zveçani apo ku di unë, megjithatë është çështje e tij”, ka thënë Dedaj.
E deklarata e Stoilkoviqi, Dedaj ka thënë se është tendencioze që në Maqedoninë e Veriut të ketë ndikim ruso-serb.
“Sa i përket idesë dhe propozimit të tij për zëvendëskryeministër dhe ministër në një dikaster të ndjeshëm sensitiv të marrëdhënieve ndëretnike të bashkësive etnike në Maqedoninë e Veriut dhe duke njohur të kaluarën e tij, sepse ai është kryetar i Partisë Demokratike të serbëve të Maqedonisë një kohë të gjatë dhe tash ka vetëm një deputet dhe duke njohur deklaratat e tij dhe qëndrimet e tij posaçërisht ndaj komunitetit shqiptar, shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kjo shihet se ka tendenca në Republikën e Maqedonisë së Veriut të shtrirjes së ndikimit dhe impaktit ruso-serb, kryesisht përmes partive pro-ruse dhe pro-serbe”, ka thënë Dedaj.
E kësi lloj deklarata si kjo kundër Republikës së Kosovës, ish-ambasadori Dedaj ka thënë se ka edhe të tjera, të cilat, sipas tij, janë skandaloze.
“Ky ka qenë edhe bashkë me Dodikun e Vulinin në vizitë te Putini që ka pasur një deklaratë skandaloze lidhur me gjenocidin në Srebrenicë dhe terroristët serbë që bënë agresion për ta destabilizuar Republikën e Kosovës, ky i quajti heronj, kjo është shumë skandaloze”, ka thënë Dedaj, duke shtruar se në një shtet demokratik që aspiron anëtarësimin në Institucionet e BE-së e kur është anëtare e NATO-s, ky nuk do të duhej të ishte ministër.
“Do të duhej të merreshin masa ligjore ndaj tij”, ka thënë Dedaj. /Dukagjini