Dedaj: Presidenti serb në vijë me ish-presidentin gjenocidial Millosheviq
Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka reaguar ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, pasi që ky i fundit publikoi në rrjetin social “Instagram” një fotografi ku shihet harta e Kosovës e mbuluar me flamurin serb.
Dedaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se presidenti serb është në vijë me ish-presidentin gjenocidial Sllobodan Millosheviq.
“Aleksandër Vuçiq, do të duhej të sillej tërësisht ndryshe, nga ish-diktatori Millosheviq, i cili është autor përgjegjës për qindra e mijëra masakra e vrasje në tërë hapësirat e Jugosllavisë së Titos, e deri te Serbia e Millosheviqit. Serbia është një shtet, i cili mbi supet e veta mbanë peshën e gjenocidit në Kosovë, si e tillë ajo në vend të provokimeve dhe kërkimfaljes, hap plagë të reja dhe tensionon opinionin, duke ëndërruar për kthim të përgjakshëm në Kosovë, mbase mbi këto ëndrra sadiste dhe fashiste,do ta humb edhe Sanxhakun, Vojvodinën, Luginën e Preshevës, e krejt në fund të lutet t’i mbetet ‘vilajeti’ i Beogradit”, ka shkruar ambasadori Dedaj.