Dedaj: ‘Task Forca’ për parandalimin e aksidenteve, një humbje kohe
Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj ka thënë se vetë fakti që numri i të vdekurve në komunikacion, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është vetëm gjashtë më pak, tregon se nuk janë marrë masa për të parandaluar këto aksidente.
Deda, në emisionin “Përballje” në “RTV Dukagjini”, ka thënë se këto 6 raste fatale më pak, kanë mundur të ndodhin për shkak të kushteve të ndryshueshme të komunikacionit.
“Çdo vit mund të ketë më shumë apo më pak 5% aksidente për shkak të kushteve dhe rrethanave të komunikacionit. Hulumtime më të gjëra nuk ka pasur. Për çdo aksident të rëndë duhet bërë një hulumtim i rrënjësishëm, apo një debat i gjerë”, tha ai.
Dedaj ka thënë se çdo masë preventive për parandalimin e aksidenteve është e mirëseardhur, por Task Forca për këtë çështje nuk ka funksionuar.
“Unë asnjëherë s’kam parë asnjë Task Force gjatë vozitjeve që këtë vit disa herë kamë bërë në drejtim të Pejës”, tha Nol Dedaj.
Dedaj ka thënë se Task Forca është vetëm humbje kohe.
“Edhe QKUK e pranon se një pjesë e madhe e vdekjeve ndodhin pse pacientët nuk dërgohen me kohë”, tha ai.
Sipas ekspertit të sigurisë duhet një buxhet për t’u marrë me studimin e 5 pikave të zeza që ekzistojnë në rrugët e Kosovës.
“Për një afat 1-3 vjeçar duhet të analizohen këto të dhëna. Këshilli i sigurisë në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës duhet të ketë buxhetin për t’i studiuar këto pesë pika të zeza”, deklaroi Nol Dedaj.