Dedaj: UÇK-ja na kishte sjell birra dhe ushqim si në hotel
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj është duke vazhduar me dhënien e dëshmisë para Dhomave të Specializuara të martën.
Ai po është duke u përgjigjur pyetjeve të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, derisa gjatë dëshmisë ka thënë se kërkuar që seanca të jetë e mbyllur “që të mos rrezikohet familja”.
“Keni bërë padrejtësi ndaj meje, në pyetjet që po mi bëni… Së pari jam përgjegjës të mbroj familjen time dhe fëmijët e tij. Kam kërkuar seancat të jenë të mbyllura që të mos rrezikohet familja dhe e ardhmja ime në Kosovë”, ka thënë Dedaj, derisa Prokuroria i ka bërë thirrje të mos flasë jashtë temës.
Gjatë dëshmisë, Dedaj ka përsëritur se gjatë qëndrimit në Baicë, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kanë trajtuar mirë, madje u kanë sjellë edhe birra dhe ushqime.
“Ne kemi ngrënë atë që kanë ngrënë ushtarët e UÇK-së, ushqimi s’ka pasur asnjë vërejtje. Kur kemi kërkuar birra si në hotel na kanë sjell birra në Baicë…Po më pyesni për detaje 25 vjet më parë, 25 vjetët e mia janë sa 2 500 vjet tuajat në Evropë”, ka thënë Dedaj.