Dedaj: Vendimi i Qeverisë, një rast i mirë për qytetarët serbë
Në një video-mesazh në gjuhën serbe, kryeministri Albin Kurit ka shpjeguar procedurat e aplikimit për patentë të Republikës së Kosovës, teksa u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të shtrojnë sa më shpejt kërkesat për realizimin e të drejtave të tyre.
“Kalimi në patentë-shoferë të RKS, mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve. Nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit të patentë-shoferit, por vetëm aplikim, të cilin çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me dokumente, përfshirë: -letërnjoftimin, origjinalin e patentë-shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, -certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë-shoferë, -dëshmi të pagesës së taksës, dhe -origjinalin e patentë-shoferit të lëshuar nga UNMIK-u apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ju ftoj që sa më shpejt të shtroni kërkesat për realizimin e të drejtave tuaja!”
Ndërkaq, eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, në një deklaratë për Radio Kosovën, e vlerësoi të qëlluar vendimin e Qeverisë, tek sa nënvizoi se ky është një rast i mirë për të gjithë qytetarët serbë që duan të pajisen me patentë- shoferë të Kosovës.
“Ne me Serbinë nuk mund të arrijmë marrëveshje deri sa qytetarët serbë të Kosovës kanë patentë-shoferë të Serbisë. Prandaj, ky është një vendim i qëlluar që të gjithë qytetarët serbë në Kosovë mund të përkthejnë patentë-shoferët e tyre në patentë-shoferë të Kosovës”, tha ai.
Vendimi hyn në fuqi me datën 9 maj dhe është valid deri me datën 9 gusht 2024.