Dedikuar për ditëlindje, shokut tim të idealit, Gani Baliut!

10 prill 2023 | 17:25

Nga Bajrush Xhemajli

Shok imi i dashur Gani,

Me Ty u njohëm që në rininë tonë, në mesin e vitit 1980, atëherë kur isha student në Mitrovicë. Na bashkoi ideali për liri dhe, ç’prej atëherë e deri kur u çliruam, kemi ecur për tehun e shpatës. Jetës vërtet nuk i dihet. Disa herë, për një fije floku kemi shpëtuar gjallë. E mbijetuam edhe pushkatimin gjatë masakrës së Dubravës. Dhe ja, sot, po plakemi bashkë. Sonte, në atmosferë familjare me miq,  po ta festojmë 65 vjetorin e lindjes.

Është momenti të të them disa gjëra të cilat kurr nuk kam mundur të t’i them.

I dashur Gan, shpirti yt skofjar e virtytet tuaja njerëzore më kanë bërë të të kam shok gjatë tërë jetës. Modestia, urtësia, bashkë me idealin për liri janë trinomi që të shoqëruan si njeri, ç’prej se të njoha e deri më sot.

Ti, njeriu i mirë, kurrë nuk kërkove gjë nga atdheu, por që i ke dhënë çdo gjë që është kërkuar dhe i ke dhënë, krejt çka ke pasur mundësi, pa kursyer e, përpak, edhe jetën, por që vdekja nuk të mori!

Ishe një shok i veqantë që ke bërë aq shumë për shokë.  Besoj, mjafton të të përmend, qoftë edhe vetëm atë që ke hequr me mua për të më shoqëruar, mbajtur dhe mbrojtur gjatë jetës sime ilegale, në Mitrovicë, në Prishtinë, në Kishnicë ku punoje e çdo kund ku ishte nevoja, në rrethana jashtëzakonisht të rënda, gjat viteve ‘81-‘82, deri sa na burgosi pushtuesi. Për këtë, padyshim, që ke pasur mbështetjen e pakursyer të babait tënd, burrit të paepur, axhës Aziz,

nënës heroinë Hatemës, vëllaut Ilmisë dhe kunatës Mejreme prandaj, tek ju, ndihesha si në familjes time.

Na ka rastisur që ta mbajmë bashkë edhe një pjesë të dënimit me burg. Nuk di sa është vendi të ta them se, kurrë nuk ka për të më dalë nga mendja, kur të kanë sjellë në burgun e Sremit me disa shokë, e kur nuk të njoha, sepse kishe ndërruar aq shumë, nga torturat sistematike e mizore, në vetmi të atij kazamati famëkeq.

E, jo vetëm atëherë, por kurrë nuk të kam dëgjuar të pendoheshe edhe në momentet më të rënda, as gjatë masakrës së Dubravës, ku të burgosurit varnin veten për të mos parë atë tmerr. Përkundrazi, Ti na ke dhënë moral ne të tjerëve.

Dhe ja, Gan i dashur, jeta diti të jetë edhe e mirë, me ne! Ka kohë, që na ka buzëqeshur jeta! Sot po e gëzojmë lirinë kaq sa e kemi, me gjithë këta miq.

Unë kam pasë fatin që të njoha! Vërtet krenohem që të kam shok!

Faleminderit Gan!

Urime 65 vjetorin, e rrofsh sa malet e Shqipnisë Nanë, për bashkimin e së cilës aspiruam tërë jetën, e që ka mbetur misioni ynë i përhershëm.

E gëzofsh jetën, bashkë me të dashurit tuaj!

Gëzuar!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një video skandaloze po qarkullon në rrjetet, ku shihet Dalai…