“Dedo Mrazat” e rrejshëm sot në Qeverinë e RMV-së!
Shkruan: Shkodran Tolaj
I nderuar opinion, të dashura media,
Në këtë periudhë, Ansambli Nacional Shqiptar ka dalluar çdo vit punëtorët më të spikatur, të cilët janë shpërblyer nga drejtoria. Fatkeqësisht, një pjesë e tyre sot ndodhen jashtë këtij institucioni!
Sot pamë fotografinë më të shëmtuar: vizitën e të punësuarve të Ansamblit në Qeveri, tek qeveritarët dhe “Dedo Mrazi i madh” – zëvendësministri i Kulturës – që e trumpetoi si “arritje të madhe” një procedurë që do të duhej të ishte krejt normale dhe e përfunduar muaj më parë: ripunësimin e 33 artistëve që kanë kontribuar për pesë vite. Por çfarë ndodhi në të vërtetë?
“Dedo Mrazat” e Qeverisë, pa fije turpi, u fotografuan me të punësuarit duke i keqpërdorur për poena politike, ndërkohë që lanë jashtë 14 artistë të mrekullueshëm, të cilët u përjashtuan nga puna, duke lënë 14 familje pa të ardhura financiare. E gjitha kjo, sepse këta artistë nuk ishin pjesë e klaneve, grupeve të interesit, partive apo miqve të pushtetit!
Më keq akoma, këta “Dedo Mrazat” të pushtetit po mashtrojnë opinionin publik duke pretenduar se vendimet për punësimet e përhershme janë meritë e tyre. Kjo është një mashtrim i madh, sepse ligji përkatës është përgatitur dhe propozuar nga qeveria e kaluar dhe nuk ka të bëjë specifikisht me Ansamblin, por me të gjitha nivelet e institucioneve kulturore në vend. Prandaj, mjaft me krenime të kota!
A ka turp për këta individë?
A ka moral në këtë shoqëri?
Kush flet për 14 artistët që kanë kontribuar për pesë vite dhe sot janë të papunë?
Ku mbeti kolegialiteti? Ku janë premtimet e zëvendësministrit se ata do të rikthehen në punë?
Fakti që iu deshën pesë muaj për të rimarrë vendet ekzistuese të punës tregon sa të dështuar janë. Kjo periudhë u përdor vetëm për të përgatitur terrenin për pastrimin e 14 artistëve të mrekullueshëm dhe zëvendësimin e tyre me individë të përshtatshëm sipas preferencave të liderëve në pushtet.
Dhe çfarë bëri ushtruesi i detyrës, drejtori i Ansamblit – “Hamza Kastrioti”? Jo vetëm që përjashtoi 14 artistë nga puna, por sot tradhtoi sërish. Ai dha dorëheqje pikërisht kur ligji u ndryshua dhe duhej të jepte vendime të përhershme për kolegët, sepse halli i tij nuk ishte fati i tyre, por interesat personale!
“Dedo Mrazat” e rrejshëm sot kanë shkatërruar çdo gjë shqiptare: gjuhën, flamurin, abetaren dhe tani pretendojnë se do të bëjnë diçka për Ansamblin Shqiptar. Ata që humbën 70,000 euro të buxhetit për programin artistik të vitit 2024 nuk do të jenë kurrë në gjendje të realizojnë asnjë program artistik, nëse vazhdojnë me këtë avaz.
Bora shpejt do të shkrijë, dhe bashkë me të do të zhduken edhe këta “Dedo Mrazat” të rrejshëm dhe të mjerë!