“Deep State”: Thaçi refuzoi t’ia jepte Smithit 100 milionë dollarë, për këtë arsye ndodhet në paraburgim në Hagë
Patrick Byrne, biznesmen dhe pronar i disa kompanive amerikane, në një artikull të publikuar në faqen e internetit “Deep State” javën e kaluar, ka hedhur akuza të rënda ndaj ish-kryeprokurorit të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar (ZPS) për udhëheqjen e një skeme korruptive brenda Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë të Holandës.
Byrne ka publikuar një dokument prej 151 faqesh në të cilin pretendohet se janë zbuluar detaje të hollësishme të një skeme korruptive nën udhëheqjen e ish-prokurorit të specializuar kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili tani udhëheqë hetimet kundër Donald Trump, presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Jack dërgoi njerëz në Evropën Lindore për t’ua përcjellur mesazhin e mëposhtëm palëve të ndryshme: Ne e dimë se gjatë luftës civile në ish-Jugosllavi ju keni vrarë disa njerëz. Jack do t’ju padisë, por nëse do vendosësh X shumën e parave në një valixhe që unë do t’ia dërgojë Smithit, problemet e tua largohen”, ka shkruar ai, duke e cilësuar “shantazhues” Smithin.
Në tekst ndër të tjera thuhet se ish-prokurori i specializuar ka kërkuar ryshfet prej 100 milionë dollarësh nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në mënyrë që të lirohet nga akuzat e pretenduara për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por ish-kreu i shtetit kosovar kishte refuzuar, ndërsa pikërisht për këtë aryse ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë.
“Ne kemi mësuar për këto akuza për shkak të një sërë sinjalizuesish evropianë, të cilët jo vetëm që kanë ndarë historitë, por ata kanë shkruar deklarata të detajuara dhe të shkëlqyera, kanë siguruar tekste dhe të dhëna financiare. Lexoni vetë 151 faqet e dokumentit. Jack, nga vendi ku jam ulur, duket i lajthitur”, ka shkruar Byrne, i cili njihet për teoritë konspirative. /Albanianpost.com/.