Defaktorizimi i njohjes!
Shkruan: Ilir Gashi
Deklarimi i liderëve evropianë për faktorizim të njohjes de-fakto shpërfaq defaktorizimin e njohjes reciproke! Ky duhet parë si shqetësim!
Pse rrëshqitëm deri këtu!?
Letra e dy presidentëve amerikanë, Trump dhe Biden, dërguar Serbisë dhe Kosovës, në përmbajtje, shprehimisht kishin njohjen reciproke!
Nëse vështrojmë në retrospektivë, u kujtohet deklarata e kryeministrit Kurtit se “Kosova është shtet në kontinentin e Evropës, e nuk është atje në kufi me Meksikë”. E saktë!
Kosova dhe pasojat!
10 vjet kohë e humbur dhe stagnim! Mungesa e investimeve, njohjeve, protestat që kanë shkaktuar miliona euro dëme të cilat ne si kemi llogaritur! Rrënimi i shpresës së njerëzve, mbjellja e defetizmit të shqiptarëve ndaj vendit të tyre, urrejtja dhe armiqësia i dhanë mundësi triumfit të medioktitetit përballë vizionit pragmatik.
Duke e parë Serbia qasjen destruktive të një kaste politike të mbështetur nga një pjesë e shoqërisë, karshi bashkërendimit Kosovë-ShBA, ajo luajti lojën në pengimin e strategjisë amerikane për të përmbyllë dialogun me njohje reciproke! Serbia luajti djallëzinë e blerjes kohë!
Çfarë kuptoj Serbia!?
Armiqësia e pushtetit me ShBA-në, prishja e rendit botëror nga lufta në Ukrainë, problemet mes Kinës dhe Tajvanit si dhe përcaktimi dhe orientimi rreth ekonomisë globale i BE-së dhe ShBA-së, i shërbeu Serbisë që të përfitojë në kohë dhe të heq njohjen reciproke nga rendi i ditës, për hir të stabilitetit dhe pengimin e mundësisë së zgjerimit të konfliktit përmes orientimit të Serbisë nga Rusia.
Ne u vonuam dhe koha e artë u përmbysë nga populizmi! Pra, Serbia këtë e arriti falë politikës populiste dhe oportunizmit të Albin Kurtit dhe gjithë atyre që e mbështetën kauzën e tij të rrejshme për pushtet.(E rrejshme, sepse pranoj ‘Zajednicën’ pa njohje reciproke dhe pa prani të Kosovës në OKB)!
Fatkeqësisht, koha punonte për Kurtin, por në dëm të perspektives politike dhe strategjike të Kosovës!
Sot shtrohet një dilemë legjitime, për të cilën s’ka garanci! Nëse sot po kërkohet pajtim për njohje de-fakto (njohje dokumenteve/targave shkëmbim të përfaqësuesve jo ambasadorë, të cilat, të përcaktuara me marrëveshje edhe më herët) në shkëmbim të ‘Zajednicës’, a ka garanci nga liderët e fuqive evropiane ose një mekanizëm evropian si Këshilli i BE-së, që s’do të kërkohet diçka tjetër (republikë ose shkëputje) në shkëmbim të njohjes reciproke – standarde de – jure!?
E ardhmja mbetet enigma mbi zhvillimet në këtë proces. Me këtë momentum do ballafaqohemi shpejt, në fazën e pranimit të Kosovës dhe Serbisë në BE!
Dhe dilema e radhës është: “Pse BE s’po kërkon demarkimin e kufirit me Serbi në këtë faze!?”
Apo do të kërkojë delimitim në një faze të mëvonshme, kur fillon procesi i njohjes reciproke, e ku mund të dalin kërkesa të reja!?