
Deficit tregtar prej 21,8 % në muajin mars krahasuar me marsin e vitit të kaluar
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2025.
Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 21,8% në muajin mars 2025, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 535,7 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 439,7 milionë eurosh në vitin 2024. Eksporti mbulon importin me 12,2%.
Eksporti i mallrave në muajin mars 2025 kishte vlerën 74,7 milionë euro, ndërsa importi 610,5 milionë euro, që është një rënie prej (-7,2%) për eksport, si dhe një rritje prej 17,3% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 23,6% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11,9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 11,8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura; 10,7% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; pijet dhe duhani; 9,0% e përbëjnë produktet minerale, etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 15,9% e përbëjnë produktet minerale; 12,8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10,7% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,3% e përbëjnë mjetet e transportit; 9,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 25,9 milionë euro, ose rreth 34,8% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-15,8%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (10,8%), Holanda (3,3%), Italia (3,3), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 249,0 milionë euro, ose 40,8% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-1,1%). Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (12,6%), Italia (5,5%), Polonia (3,2%), etj.
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 33,5 milionë euro, ose 44,8% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 3,3%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (15,8%), Shqipëria (14,7%), Mali i Zi (6,6%), Serbia (5,9%). Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 101,5 milionë euro, ose 16,6% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 51,1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (6,5%), Shqipëria (5,1%), Serbia (3,7%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 15,3 milionë euro, ose 20,5%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (10,1%) dhe ShBA (3,0%). Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 259,9 milionë euro, ose 42,6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14,0%) dhe Kina (12,0%).