Deficiti tregtar i Kosovës në shtator mbi 257.3 milionë euro

24 tetor 2018 | 16:57

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shtator 2018.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 20.2 për qind në muajin shtator 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 257.3 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 213.9 milionë eurosh në vitin 2017.

Eksporti mbulon importin me 12.5 për qind.

Eksporti i mallrave në muajin shtator 2018 kishte vlerën 36.6 milionë euro, ndërsa importi 293.9 milionë euro, që është një rritje prej 7.6 për qind për eksport, dhe një rritje prej 18.5 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 42.6 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.3 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.4 për qind e përbëjnë produktet minerale; 9.0 për qind e përbëjnë produktet bimore; 2.8 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 2.4 për qind  e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.0 për qind e përbëjnë produktet minerale; 13.0 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.1 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.9 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 7.8 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 7.1 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.3 për qind  e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 5.6 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 10.2 milionë euro, ose rreth 28.0 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 14.1 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.6 për qind), Holanda (3.4 për qind), Sllovenia (2.2 për qind), Danimarka (2.1 për qind).

Kurse importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 124.0 milionë euro ose 42.2 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 19.6 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.1 për qind), Italia (5.9 për qind), Spanja (3.7 për qind), Greqia (3.4 për qind), Sllovenia (2.9) etj.

Në muajin shtator 2018, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 15.0 milionë euro ose 41.1 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-9.8 për qind). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (17.0 për qind), Maqedonia (11.2 për qind), Serbia (6.9 për qind), Mali i Zi (3.6 për qind).

Ndërsa importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shtator 2018, arritën në 82.2 milionë euro ose 28.0 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.2 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (12.8 për qind), Shqipëria (6.7 për qind), Maqedonia (5.4 për qind) dhe B&H (2.6 për qind).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 11.3 milionë euro ose 30.9 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport, vlen të përmenden: India (21.2 për qind) dhe Zvicra (5.8 për qind).

Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 87.6 milionë euro ose 29.8 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (9.5 për qind) dhe Kina (9.5 për qind).

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Historiani gjilanas, Izmi Zeka, aktualisht zëvendësministër i Punëve të Brendshme,…