Deficiti tregtar më i lartë për 18.3 për qind në muajin korrik të 2018-s
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin korrik 2018.
Të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 18.3 për qind në muajin korrik 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 280,2 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 236,9 milionë euro në vitin 2017.
Eksporti mbulon importin me 9.3 për qind. “Eksporti i mallrave në muajin korrik 2018 kishte vlerën 28,7 milionë euro, ndërsa importi 309,0 milionë euro, ku është një rënie prej (-25.0 për qind) për eksport dhe një rritje prej 12.2 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017”, thuhet në publikimin e ASK-së.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 31.3 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.7 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 13.5 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 12.5 për qind e përbëjnë produktet minerale; 8.5 për qind e përbëjnë produktet bimore; 3.1 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij; 2.9 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 2.8 për qind e përbëjnë lëkura dhe artikujt prej tyre etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.4 për qind e përbëjnë produktet minerale; 14.1 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.6 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.0 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.4 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 6.8 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.3 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 4.3 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij etj. “Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 7,6 milionë euro, ose rreth 26.7 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-9.9 për qind). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (6.2 për qind), Sllovenia (4.8 për qind), Holanda (4.6 për qind). Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 126,6 milionë euro, ose 41.0 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 6,7 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.6 për qind), Italia (7.2 për qind), Greqia (2.9 për qind), Polonia (2.6 për qind), Romania (2.3 për qind) etj”, është theksuar në publikimin e ASK-së.
Në muajin korrik 2018, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 16,0 milionë euro ose 55.7 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-24.2 për qind). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (23.7 për qind), Maqedonia (12.7 për qind), Serbia (11.1 për qind), Mali i Zi (5.5 për qind).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin korrik 2018 arritën në 82,3 milionë euro ose 26.7 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7.4 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (12.1 për qind), Shqipëria (7.0 për qind), Maqedonia (4.9 për qind) dhe B&H (2.1 për qind).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 5,0 milionë euro ose 17.6 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (8.4 për qind) dhe India (3.3 për qind).
Ndërkaq, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 100,0 milionë euro ose 32.4 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (10.5 për qind) dhe Turqia (9.9 për qind).