Dega e AAK-së në Vushtrri: PDK-së nuk iu bashkuan mbi 100 aktivistë të Aleancës
Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka demantuar lajmin për aderimin e mbi 100 aktivistëve të kësaj partie në PDK.
Kjo degë ka kërkuar nga PDK-ja që ta bëjë publike listën e aktivistëve të AAK-së që i janë bashkuar partisë së Kadri Veselit.
“Dega e AAK-së në Vushtrri, është befasuar nga lajmi mashtrues i lëshuar në publik kinse ‘mbi 100 aktivistë të AAK-së’ aderuan në PDK. Ne që jetojmë në Vushtrri, e njohim të gjithë njëri-tjetrin dhe angazhimin politik të secilit. Jo më shumë se 5 persona kanë qenë ish-aktivistë të AAK-së, të cilët në kërkim të punësimit personal kanë bërë lëvizje në subjekte tjera politike. Ne ju bëjmë thirrje publike atyre që kanë bërë publik lajmin, të bëjnë publike edhe listën e personave. Jo për ne, sepse ne e dimë të vërtetën, por për qytetarët e Vushtrrisë”.
“Ne i kuptojmë edhe problemet personale të qytetarëve, dhe ju urojmë punësim të lehtë. Ajo që nuk e kuptojmë është ‘lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit’ e Kadri Veselit. Ndërmarrja publike ‘Ibër & Lepenc’ , e cila në kohë fushate shndërrohet çdo herë në karrem për ‘aderime’ nuk është Degë e PDK-së, por është e qytetarëve dhe publike. Vushtrria e kupton shumë mirë ‘luftën’ e juaj kundër nepotizmit dhe korrupsionit! Mashtrimi ka fund!”, është thënë në reagimin e Degës së AAK-së.
/Epoka e re/