Dega e Infermierisë shënon 20-vjetorin, rektori Qerimi i quan infermierët heronj
Infermieria është boshti i shëndetësisë sonë dhe janë heronjtë e padukshëm të cilët ofrojnë shpresë për pacientët dhe familjarët e tyre. Kështu tha rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi.
Në 20-vjetorin e themelimit të Degës së Infermierisë, në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë, Qerimi e quajti këtë institucion si pishtar të dijes.
“Është nder i madh dhe kënaqësi për mua që të qëndroj para një kolegjiumi si ju. Jam i lumtur që jemi mbledhur sot këtu për të festuar këtë arritje, dua t’i falënderoj stafin akademik dhe studentët. Për dy dekada ky institucion ka qenë pishtar i dijes duke bërë arritje të mëdha”.
“Jo vetëm që ka prodhuar infermierë të suksesshëm, por gjithashtu edhe duke u bërë rol kyç në jetën tonë. Infermieria është boshti në shëndetësinë tonë, infermierët janë heronjtë e padukshëm dhe ofrojnë shpresë për pacientët dhe familjarët e tyre. Përmes angazhimit të tyre, sjellin rezultate tek pacientët”, tha Qerimi, raporton “Ekonomia Online”
Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, tha Dega e Infermierisë arrin të nxjerrë profesionistë të mëdhenj, me ç’rast tha se kurrikulat për këtë degë janë me standarde të BE-së.