Dega e LDK-së në Istog, propozon pesë kandidatë për kryetar të komunës
Kryesia e LDK-së, dega në Istog, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku kanë dalë me pesë kandidatë për kryetar të komunës.
Në mbledhjen e mbajtur, të kryesuar nga kryetari i degës, Haki Rugova, bazuar në Statutin e LDK-së, nxjerr këtë propozim me kandidatët për kryetar komune për zgjedhjet lokale 2021.
Besart Dreshaj, Besim Mulaj, Ilir Ferati, Shkëmb Manaj dhe Zenel Shatri janë kandidatët e propozuar nga LDK në Istog për Kryesinë e LDK-së qendrore.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 17 tetor 2021 për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Të gjitha subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 tetorit, duhet të dorëzojnë aplikimin e tyre në KQZ deri më 16 gusht. Pra, deri në këtë datë, subjektet politike, përveç aplikimit të tyre, duhet të dorëzojnë edhe listën e kandidatëve për kryetarë të komunave apo për kuvende komunale.
Votuesit që jetojnë jashtë Kosovës, kanë 40 ditë afat për t’u regjistruar, prej datës 10 korrik deri më 18 gusht, derisa afati i votimit përmes postës është nga 15 shtatori deri më 15 tetor.
Fushata zgjedhore që do të zgjasë një muaj, do të fillojë më 16 shtator dhe do të zgjasë deri më 15 tetor.
Buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve lokale është 8.1 milionë euro.