Dega e PDK-së në Podujevë i ankohet qeverisjes lokale për rrugën “Xhemajl Mustafa”
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Podujevë ka shprehur rreth neglizhencës dhe mospërfundimit të ndërtimit të rrugës “Xhemajl Mustafa” në Podujevë.
Kjo degë ka bërë me dije se ky projekt jetik për qytetarët llapjan është zvarritur për një kohë të gjatë dhe ka shkaktuar vështirësi të mëdha në jetën e përditshme të banorëve të zonës dhe komunitetit të biznesit. Më poshtë reagimi i kësaj dege:
Njoftimi i plotë i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë
Neglizhenca dhe mospërfundimi i ndërtimit të rrugës Xhemajl Mustafa
Kanë kaluar afër tre (3) muaj nga fillimi i ndërtimit të kësaj rruge por ende as edhe një metër asfalt nuk është shtruar.
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Podujevë shprehë shqetësimin e saj të thellë lidhur me neglizhencën dhe mos përfundimin e ndërtimit të kësaj rruge.
Ky projekt jetik për qytetarët tanë është zvarritur për një kohë të gjatë dhe ka shkaktuar vështirësi të mëdha në jetën e përditshme të banorëve të zonës dhe komunitetit të biznesit.
Ne, si Dega e PDK-së, e konsiderojmë të papranueshme që investimet publike të mos menaxhohen me kujdesin dhe seriozitetin e duhur. Rruga Xhemajl Mustafa është një arterie kryesore që ndikon drejtpërdrejt në lëvizjen dhe ekonominë e qytetarëve tanë. Mos përfundimi i këtij projekti është një dështim i qeverisjes lokale për të përmbushur premtimet e dhëna dhe për të përmbushur nevojat e qytetarëve.
Ne kërkojmë urgjentisht nga institucionet përkatëse që të ndërmarrin masa të menjëhershme për të përfunduar ndërtimin e kësaj rruge dhe për të adresuar problemet e shkaktuara nga zvarritja e këtij projekti. Çdo vonesë e mëtejshme është një dëm i drejtpërdrejtë për komunitetin e biznesit dhe ndaj mirëqenies së qytetarëve tanë.
PDK mbetet e përkushtuar për të monitoruar nga afër këtë situatë dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve tanë. Ne do të vazhdojmë të ngremë zërin për të gjitha çështjet që prekin komunitetin tonë dhe do të insistojmë për përgjegjësi dhe transparencë nga autoritetet përkatëse.
Me respekt,
Dega e PDK-së në Podujevë