Degradimi i gjuhës parlamentare në Kuvendin e Kosovës!
Reagim i KMDLNj-së
Me datë 02.03.2020 është mbajtur seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare lidhur me paralajmërimin e kryeministrit Kurti për heqjen e taksës 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Sipas paralajmërimit të kryministrit të Kosovës, taksa 100 për qind do të hiqet sipas një dinamike kohore, do të jetë e kushtëzuar dhe varësisht nga sjelljet e Serbisë kjo taksë do të zëvendësohet me masën e reciprocitetit. Paralelisht me seancën e jashtëzakonshme, para ndërtesës të rinjët e AAK-së e bënë një performancë simbolike duke e lënë një arkivol mbi të cilin ishin vendosur parimet dhe premtimet që sipas të rinjëve të AAK-së i kishte shkelur kryeministri Kurti.
Arkivoli i vendosur në shesh dhe i stolisur me slogane ishte kopje e protestave masive të shqiptarëve para luftës në Kosovë që e varrosnin dhunën duke bartur një arkivol. Gjatë këtij kundërshtimi që i bënë të rinjët e AAK-së heqjes së taksës 100 për qind. Policia e Kosovës arrestoi disa aktivistë të AAK-së të cilët nuk ishin të dhunshëm por protestuan në mënyrë paqësore për t’u liruar pasi u morën në pyetje nga Policia e Kosovës. Arrestimin e të rinjëve protestues të AAK-së, KMDLNj e konsideron krejtësisht të paarsyeshëm, të panevojshëm dhe në kundërshtim të të drejtave të njeriut për lirinë e shprehjes dhe tubimit të lirë e që është e rregulluar me ligjet në fuqi. Se çfarë porosie bartë vendosja e arkivolit është çështje që interpretohet sipas interesave politike dhe të tjera.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme, shumica e diskutimeve ishin në përputhje me gjuhën parlamentare përjashtuar disa rasteve që kanë eskaluar dhe për të cilat kryetarja e Kuvendit, znj. Osmani është dashur të reagojë menjëherë, duke ua ndërprerë fjalën.
Deputeti Shkumbin Demalijaj duhet t’i kërkojë falje publike kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti për cilësimet e bëra në këtë seancë të jashtëzakonshme sikur që deputeti i VV-së Dimal Basha duhet t’i kërkojë falje publike anëtarëve të Bordit të shkarkuar të Infrakos për cilësimet fyese dhe denigruese.
KMDLNj përkujton të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës se kanë përgjegjësi për fjalën publike dhe nuk gëzojnë asnjë imunitet nga cilësimet raciste, denigruese, poshtëruese dhe të qëllimshme për ta kompromentuar personalitetin e kundërshtarit politikë.
Duhet të përkufizohet qartë e drejta për debat parlamentar nga përgjegjësitë që i takojnë institucioneve tjera si janë Policia e Kosovës, prokuroria dhe gjykatat.
Në këtë kontekst KMDLNj sugjeron të gjithë ata që edhe në sallën e Kuvendit fyhen dhe akuzohen pa asnjë bazë të kërkojnë shpagim nga organet e drejtësisë në mënyrë që të vendoset një kulturë e komunikimit mbështetur në vlerat e një parlamentarizmi të mirëfilltë.
KMDLNj kërkon nga Kryetarja e Kuvendit znj. Vjosa Osmani që të jetë shumë e prerë në raste kur nëpërkëmbet dinjiteti i çdo deputeti apo familjarëve të tyre duke i ndërprerë fjalën.
Do të duhej që me autoritetin që ia njeh ligji, Kryetarja e Kuvendit dhe Kryesia e Kuvendit të sanksionojnë fjalorin degradues duke i larguar nga seanca deputetët që bëjnë cilësime degraduese, për një afat të caktuar.
Në rast kur fjalori degradues, akuzues, fyes dhe kërcënues përmbanë elemente të natyrës personale, Prokuroria duhet të reagojë sipas autorizimeve dhe detyrës zyrtare.
KMDLNj kërkon nga deputetët e Kuvendit të Kosovës të respektojnë Kodin minimal të sjelljes parlamentare, që opozita dhe pozita të kontribuojnë në shtensionimin e situatës, të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesin e qytetarëve të Kosovës, pa dallim përkatësie partiake apo politike.
Deputetët janë deputetë të të gjithë qytetarëve të Kosovës prandaj duhet të sillen si të tillë.