Degradimi i menaxhimit të mbeturinave nga qeverisjet e komunave

24 tetor 2024 | 13:27

Shkruan: Prof.dr. Sylejman Berisha – Ekspert mjedisor

Në shoqëritë e pasluftës dhe në faza të tranzicionit të rregullimit shoqëror, ekziston rrezik i lartë i përshtatjes së qytetarëve me degradime mjedisore në njërën anë, dhe në anën tjetër mos transparenca, mosllogaridhënja dhe mos prioritizimi i mbrojtjes së mjedisit gjegjësisht i menaxhimit të mbeturinave nga menaxhuesit komunal.

Nga paslufta në vendin tonë, kemi bërë avancime të dukshme në aspektin ligjor të rregullimit të fushave të ndryshme, e në veçanti në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor.

Ligjet mjedisore vendore, si nga aspekti i emërtimit të tyre ashtu edhe nga aspekti i  përmbajtjes, janë mjaft mirë të detajuara në brendinë e tyre. Pastaj ligjet janë të plotësuara edhe me akte nënligjore që rregullojnë detyrat dhe përgjegjësit e secilit nivel publik shtetëror e komunal të menaxhimit të mbeturinave.

Aktualisht, kemi ligje dhe akte nënligjore që përkufizojnë dhe rregullojnë fushën e menaxhimit të mbeturinave të ndryshme, si;

       Ligji për mbrojtjen e mjedisit Nr. 03 / L-025;

       Ligji për Ndërtimin Nr. 04 / L-110, dhe pastaj aktet tjera sekondare për menaxhim të mbeturinave, si;

  • Udhëzimin administrativ të MMPH – nr. 07/2015 për menaxhimin e mbeturinave nga ndërtimet dhe demolimi i objekteve ndërtimore,
  • Udhëzimin administrativ Nr.01/2020 për menaxhimin e mbeturinave që përmbajnë azbest,
  • Udhëzimin administrativ MMPH-25/2014 për menaxhimin e mbeturinave nga pajisjet elektrike dhe elektronike dhe kufizimin e përdorimit të substancave të rrezikshme në pajisjet elektrike dhe elektronike dhe Udhëzimin administrativ- Nr.08/2017 për menaxhimin e deponive.

Në këtë artikull objekt shtjellimi është menaxhimi i mbeturinave në komuna të Kosovës dhe hallkat e përgjegjësive të tyre.

Nocioni Menaxhimi i mbeturinave në Ligjin nr. 08/L-071, neni 4, shkruan; “menaxhim të mbeturinave– nënkupton aktivitetet përfshirë mbledhjen, grumbullimin, transportin, përpunimin-riciklimin, klasifikimin, deponimin e mbeturinave, mbikëqyrjen e operacioneve të tilla dhe kujdesin, mirëmbajtjen e mëvonshme të vendeve të depozitimit, si dhe veprimet e ndërmarra nga një tregtar ose ndërmjetësues”;

Sipas ligjit(LIGJI NR. 03/L-040 PËR VETËQEVERISJEN LOKALE (rks-gov.net), pos kompetencave tjera, (neni 17, paragrafi f), thotë;” Komunat janë përgjegjëse për; ofrimin dhe mirëmbajtjen e shërbimeve publike dhe shërbimeve komunale, përfshirë furnizimin me ujë, kanalizimin dhe drenazhin, trajtimin e ujërave të zeza, menaxhimin e mbeturinave, rrugëve lokale, transportit lokal dhe skemave të nxehjes lokale”.

Pra, nga aspekti ligjor duket se jemi në rregull, por gjendja reale nëpër komuna me pak dallime, gjendja e menaxhimit të mbeturinave është e keqe dhe me shenja edhe më tej të degradimit të menaxhimit të mbeturinave nëpër komuna. Në vijim si ilustrim disa nga foto që pasqyrojnë realitetin tonë gjithandej.

Figura 1. Foto të ndryshme i pasqyrimit të realitetit me menaxhim të mbeturinave.

Nga aspekti profesional mendoj që, kemi bërë disa gabime në përcaktimin dhe kahjet e përzgjedhjes së mënyrës së strategjive të problemeve mjedisore, edhe atë;

       Politikat mbi menaxhimin e mbeturinave të pasluftës që na i ofruan dhe investuan institucionet e jashtme( me miratimin tonë) duke zbatuar politika të menaxhimit regjional të mbeturinave dhe të ndërtimit të deponimeve regjionale ishte qasje e gabuar.

       Gabimi tjetër i radhës ishte konsolidimi dhe financimi i ndërmarrjeve publike të pastrimit, grumbullim dhe transportin e mbeturinave deri në deponitë regjionale. Sepse, financuam në ndërtimin e kapaciteteve të mekanizmave transportues, kontejner në ndërmarrje publike, por, me një mendësi të demoduar të resurseve njerëzore ”pronë publike-pronë e askujt”, dhe aq më keq futja e këtyre ndërmarrjeve si asete shtetërore-komunale. Sepse, përfaqësimi i bordeve politike dhe përzgjedhja e drejtorëve menaxhues është e kontrolluar nga politika dhe nuk vendoset kriter përgatitja profesionale e tyre dhe e llogaridhënies.

Menaxhimi i mbeturinave nga niveli komunal e ka degraduar edhe më shumë situatën e menaxhimit të mbeturinave edhe atë për shumë arsye;

       Edhe në komuna përzgjedhja e shumicës së drejtorive(drejtorëve) janë politike, përkatësisht i drejtorive ku bie edhe sektori i menaxhimit të mbeturinave,

       Mungesa e prioritizimit të menaxhimit të mbeturinave nga nivelet komunale,

       Mungesa e stafit të mjaftueshëm( resurseve njerëzore) dhe profesional në sektorin e menaxhimit të mbeturinave,

       Monopolizimi i ndërmarrjeve publike të menaxhimit të mbeturinave, kushtet e punës, vetëdija e tyre, pagat e punonjësve,

       Niveli i ulët i vjeljes së pagesave nga qytetarët ndaj shërbimeve të mbeturinave ,

       Mungesa e inspektorëve për mbikëqyrjen e menaxhimit të mbeturinave, hedhjet ilegale të mbeturinave, mos ndjekjen dhe gjobitjen e individëve që hedhin mbeturinat jashtë lokacioneve të caktuara,

       Mungesa të emisioneve edukative për ngritjen e vetëdies mjedisore përmes Radiove, TV dhe takimeve të ndryshme,

       Mungesa e caktimit të deponive në nivelin komunal dhe të deponive të materialeve nga demolimet e ndërtimeve të objekteve dhe mbetjeve të ndryshme,

       Mungesa e pajisjes me leje mjedisore; të kompanive për grumbullim, transportim dhe deponim të materialeve nga demolimet e ndërtimeve, të kompanive për tubimin dhe përpunimin e vajrave të përdorur të automjeteve, të kompanive të tubimit dhe ripërpunimit të gomave të përdorura, të kompanive për tubimin e pajisjeve elektrike dhe elektronike, të kompanive për tubimin, transportimin dhe deponimin e azbestit, e tjera. Në shoqëritë e pasluftës dhe në faza të tranzicionit të rregullimit shoqëror, ekziston rrezik i lartë i përshtatjes së qytetarëve me degradime mjedisore në njërën anë, dhe  në anën tjetër mos transparenca, mosllogaridhënja dhe mos prioritizimi i mbrojtjes së mjedisit gjegjësisht i menaxhimit të mbeturinave nga menaxhuesit komunal.

Së shpejti do të kemi obligime dhe kritere bazë të avancimit të mbrojtjes së mjedisit( ujit, ajrit tokës dhe menaxhimin e mbeturinave  nga BE, kusht për integrime regjionale dhe më gjerë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së…