Dekada e Re simbolikë, realitet apo mundësi e radhës për njerëz…
Ymer Berisha
Dekada e Re parë në emërtimin e saj do duhej të ofronte mundësi për të gjithë në politikëbërje, të sigurojë perspektivë të qëndrueshme dhe besim për mendjet e hapura të cilat janë të gatshme që të konkurrojnë me ide të reja të liberal demokracisë në politikën tonë, ide të cilat do të ndikojnë në rritjen e besimit të qytetarëve në vlerat që përfaqëson politika dhe politikëbërja. E nesërmja nuk ka alternativë, duhet të jemi të gatshëm të konkurrojmë me të tjerët në trendët e zhvillimeve globale dhe të teknologjisë, kreativitetin intelektual dhe hulumtimet shkencore duhet t’i jetësojmë në plotninë e kërkesave të tyre.
Dekada e Re do duhej të ishte edhe dekadë e mbyllur për lidership lokal e qendror, të cilët pa subjektin politik, janë asgjë më shumë se sa statistikë demografike, (ironikisht thënë) njerëz që ekskluzivisht e jetësisht janë në nevojë, njerëz të cilët kur nuhasin mundësinë, jo rrallë herë mundohen ta bëjnë vetë Zeusin në versionin me primitiv të kohës…!
Historia e njerëzimit të gjitha arritjet planetare, në gjithë fushat e jetës, ia atribuon mendjes, punës, përvojës, e në raste të caktuara edhe vetë rastësisë. Dekada e Re, detyrim parësor dhe të fundit duhet ta ketë njeriun e kulturuar, të urtë, njeriun që qetësisht është i gatshëm të kontribuojë për atdheun dhe kauzat humane botërore, njeriun që e sheh të sigurt rrugëtimin politik e institucional të Kosovës, shtet demokratik, funksional, të qytetarëve, i barabartë me të tjerët në Ballkan, Evropë e gjetkë.
Shoqëria jonë ka nevojë parësore për politikë përfaqësuese, lidership të besuar, përgjegjës, kompetent në vendimmarrje, lidership që qytetarin e sheh sovran dhe veten e tij në shërbim të shtetit e shoqërisë në përgjithësi, i gatshëm për t’iu kthyer familjes së tij në çdo kohë, i ndershëm dhe i respektuar.
Në dy dekada liri partitë politike, shoqërisë dhe shtetit i dhanë kuadër institucional qeverisës, lokal e qendror, që për fat të keq në shumësinë e tyre nuk na nderuan me punën dhe angazhimet publike, nuk i përmbushën pritjet e qytetarëve, në masë të madhe u keqpërdor besimi dhe pritjet, rrëshqitëm pa e ndjerë drejt mentalitetit të robit në njërin rast dhe diktatorit primitiv në rastin tjetër. Druaj se humbëm shumë.
Gjatë angazhimeve publike njeriu ynë u katandis keq dhe u bë rob i keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe korrupsionit. Mosndëshkimi ligjor dhe sistemi gjyqësor në përgjithësi ndikoi fuqishëm në dëmtimin e imazhit te shtetit funksional brenda dhe jashtë. Simbiozë që po rrezikon të gjitha arritjet për dy dekada liri, binomi politikë – gjyqësor. U bënë bashkë për ta mbajtur njeri-tjetrin edhe pse ligjërisht kanë detyrime të funksionojnë të ndara dhe të pandikuara.
Njeriu ynë me angazhim në zyre publike, për pak kohë u gatit që të ushtrojë ndikim jo legal për interesin e tij. Mundësitë korruptive për nevoja personale edhe i krijonte në emër të punës dhe pozitës publike. Servilitetin për një pozitë publike e quam deri në banalitet, e çka jo tjetër. Dukuri këto, të cilat rënd e cenuan shtetin funksional, politikbërjen demokratike, vendimmarrjen përfaqësuese e besimin në drejtësi.
Për dy dekada liri u bëmë potencial i rrezikshëm ta vrasin edhe njeriun e dekadës se re, pa ndjerë asgjë, në heshtje.
Dekada e Re në kuptimin e drejtë të saj thërret qytetarin e Kosovës, trurin e saj, individin dhe të gjithë; Të angazhohemi, të punojmë pareshtur për shoqëri ku sundon ligji, shtet ku sigurohen vlerat konkurruese demokratike, shoqëri të mundësive të barabarta, shtet ku jetohet me dinjitet.
Ta bëjmë arritje të dekadës së re konsolidimin e shtetit tonë, integrimin në NATO, BE dhe OKB, ndryshe e kemi humbur mundësinë që të kthehemi në familje me epitetet e cekura më lartë.
Të gjithë në vetën e parë, ç’do ditë mbetemi në nevojë të reflektojmë me kujdes për angazhimet tona publike e politike, punën, përgjegjësitë dhe vendimmarrjen. Guximshëm t’i themi jo sindromës së varfërisë për gjithçka, më patjetër duhet të jemi në lartësinë e nderit dhe krenarisë për atë që bëjmë, nëse duam të jemi të fituar.