
Dekani i Fakultetit të Bujqësisë: Nëse deri në dhjetor të 2026-s nuk kalojmë në objektin e ri, na hiqet akreditimi
Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës, Arben Musliu, e ka pranuar se me të drejtë Agjencia e Kosovës për Akreditim ua ka mbyllur programet e studimit në këtë Fakultet për shkak të infrastrukturës.
Këtë deklarim, dekani Musliu e bëri në mbledhjen e Senatit të UP-së më 26.03.2025 derisa u shqyrtua Rregullorja për procesin e vlerësimit të brendshëm në procedurën e akreditimit dhe riakreditimit institucional dhe atë të programeve të studimit në UP.
“Me të drejtë Agjencia e Akreditimit na ka mbyllë të gjitha programet. Me të drejtë për shkak të infrastrukturës, tash përgjegjësia e infrastrukturës e kujt është. 90% e standardeve kanë qenë extra ordinary fulfilled (ekstra të zakonshme të plotësuara). Një standard s’ka qenë i plotësuar – infrastruktura. Tash, përgjegjësia përveç stafit, e të gjithëve duhet me qenë, edhe zyrës, edhe Rektoratit, edhe Fakultetit” – ka thënë Musliu dje.
Musliu theksoi se u rrezikohet përsëri akreditimi i programeve të studimit në rast se nuk kalojnë në objekt të ri deri në dhjetor 2026.
“Tash jemi akreditu, e kemi marrë për disa programe trevjeçarin, por në të njëjtin plan e thot deri në dhjetor të 2026 në qoftë se nuk kaloni në objektin e ri, largohet akreditimi. Kështu që është shumë kritike kjo çështje e infrastrukturës për të gjithë, sepse dy standardet kryesore për akreditim është – infrastruktura edhe teach-i – edhe mësimi” – tha Musliu. /Kallxo