Dekani i FEFS-së, Musa Selimi: Kushtet s’i kemi të mira, por studentët…

01 janar 2023 | 16:42

Ndër drejtimet e shumta opcionale për të vijuar studimet, në Universitetin e Prishtinës është edhe ai i Edukimit Fizik dhe Sportit (FEFS).

Ndonëse fakultet jo fort i përfolur nga masa, interesimi për të ka qenë vazhdimisht i madh, me institucionin që shkon duke u përmirësuar për t’ua mundësuar studentëve eksperiencën më të mirë të studimit, si në atë teorike, ashtu edhe në atë praktike.

Boksierja e cila është shpallur nënkampione e Evropës, Donjeta Sadiku; Kijana Kryeziu, skiatorja e cila ka marrë pjesë në lojërat dimërore “Pekin 2022”,  Betim Krasniqi, i cili është shpallur nënkampion i botës në bodybuilding, Gentiana Beqa, e cila është shpallur kampione e botës në Fitness dhe Wellness, janë vetëm disa nga emrat e njohur që fillet i kanë nisur nga po ky fakultet.

“Klankosova.tv” ka zhvilluar një intervistë me dekanin e këtij fakulteti Musa Selimi, i cili ka treguar për sfidat, sukseset dhe të arriturat gjatë mandatit të tij. Por ai flet edhe për mangësitë që ka ky fakultet, e të cilat pret që dita-ditës të përmirësohen me ndihmën e institucioneve dhe vetë studentëve.

Selimi, i cili me prejardhje është nga Bresalci i Gjilanit, studimet bachelor, master e doktoraturë i kreu në Universitetin e Prishtinës në po të njëjtin drejtim, ndërsa mban pozitën e dekanit prej marsit të vitit 2016. Pas përfundimit të mandatit të parë më 2020, Selimit iu besua detyra edhe për një mandat tjetër, deri më 2024.

Ai, në intervistën për “Klankosova.tv”, ka përmendur shumë të arritura, por nënvizoi gjendjen e rëndë të infrastrukturës, e cila thotë se i pengon studentët në zhvillimin më të mirë të mundshëm fizik.

“Objekti si objekt nuk i plotëson kushtet që i nevojiten studentit dhe stafit. Ka mungesë të pishinës, që është e domosdoshme për lëndën e Notit e që është obligative,  duhet të shkojmë në periferi për të gjetur pishinë. Kemi mungesë të stadiumeve, fushave sportive, të gjitha këto janë probleme që po na shkaktojnë telashe në organizimin dhe mbarëvajtjen e mësimit”, ka thënë Selimi.

Megjithatë, ai ka një përkufizim interesant për stafin dhe studentët. “Studentët i kemi më të mirë sesa që jemi vetë”, ka thënë Selimi.

Një ndër synimet e tij gjatë dy viteve të mbetura në mandat, Selimi ka përmendur shtimin e orëve të Edukatës Fizike në shkollat fillore dhe të mesme, pasi që për momentin janë kryesisht dy në javë, e që sipas tij, duhet të jenë të paktën tri.

Ndërtimi i një kampusi modern dhe shtimi i një apo dy programeve të reja në nivelin bachelor, po ashtu janë disa nga objektivat e tij.

Intervistën e plotë mund ta lexoni: KËTU

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet talibane në Afganistan thanë se disa persona janë vrarë…