Deklarata e 2 Korrikut diskutohet në konferencën shkencore të Akademisë së Kosovës dhe Shqipërisë
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë organizuar konferencën shkencore “Zhvillimi i konstitucionalizmit shqiptar 1912-2024”.
Muharrem Shabani, i cili kishte lexuar Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut, ka thënë se Kuvendi i atëhershëm ishte mbajtur në kushte të jashtëzakonshme e nën rrethimin e shërbimeve sekrete serbe.
“Gjendja në Kosovë në ato vite ishte tepër e rëndë. Me 23 mars 1989, në mënyrë të dhunshme ishte sulmuar ajo autonomi. Prandaj edhe ky kuvend që u mbajt më vonë u mbajt në kushte të jashtëzakonshme, nën rrethimin e forcave serbe dhe shërbimeve sekrete. U paraprin shumë ngjarjeve të rënda, burgosje të intelektualëve, vrasje, kthimin e shumë ushtarëve në arkivole, helmime masovike te shkollave të mesme”, ka thënë Shabani.
Në këtë konferencë shkencore, ai ka thënë se Deklarata Kushtetuese ishte pikënisje për kushtetutën dhe referendumin, raporton “KP”.
Për hartimin dhe miratimin e Kushtetutës së Kosovës më 7 shtator 1990, ka folur Ismet Salihu, i cili ka thënë se gjatë muajit korrik dhe gusht kanë punuar në hartimin e këtij akti.
“Qëllimi kryesor i Serbisë ishte suspendimi i autonomisë së Kosovës. Suspendimi i autonomisë nxiti demonstrata në mbarë Kosovën”, ka thënë Salihu.